Bruksel, shpërthim në stacionin qendror, vritet agresori, Prokurori federal, Eric Van Der Sypt: Po trajtohet si “sulm terrorist”

Trupat belge që patrullojnë Stacionin Qendror në Bruksel, thanë se e kanë “neutralizuar” një person pas një shpërthimi të vogël të martën. Një zyrtar tha se nuk ka pasur dëme të tjera në njerëz dhe situata është nën kontroll.

Ai nuk ishte në gjendje të konfirmojë raportimet sipas të cilave personi kishte një jelek me mjete shpërthyese dhe nuk është e qartë nëse personi i qëlluar është ende gjallë.

Kryeministri, Charles Michel, u bëri thirrje njerëzve që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.

Prokurori federal, Eric Van Der Sypt, u tha gazetarëve se shpërthimi po trajtohet si “sulm terrorist”.

Stacioni dhe zona historike aty ngjitur në qendër të qytetit, duke përfshirë sheshin e stilit barok Grand Place, plotë me turistë dhe vendas në një mbrëmje të ngrohtë, u evakuuan pasi policia ngriti një kordon të sigurisë, thanë dëshmitarët.

Tabloidi Het Laatste Nieuws, citoi dëshmitarë sipas të cilëve personi i qëlluar brohoriti në arabisht “Allahu Akbar” (Zoti është i madh), para shpërthimit të vogël.

Ushtarët që vrapuan drejt vendit të ngjarjes, panë tela që vareshin nga rrobat e burrit dhe e qëlluan atë.

Pohimet nuk ishte e mundur të vërtetoheshin në mënyrë të pavarur.

Qyteti është në gjendje alarmi për më shumë se 18 muaj që kur militantët e grupit Shteti Islamik me bazë në Bruksel, kryen sulme në Paris në nëntor të vitit 2015 që lanë pas vetes 130 të vrarë dhe më pas në mars të vitit të kaluar hodhën bomba në aeroportin dhe metronë e Brukselit, duke vrarë 32 veta.

Një zëdhënës i policisë tha se “ka një incident në Stacionin Qendror. Pati një shpërthim afër një personi. Ai është neutralizuar nga ushtarët që ndodheshin në zonë. Aktualisht policët janë në stacion dhe situata është nën kontroll”.

Kryeministri Michel dhe ministri i Brendshëm janë në Qendrën kombëtare të krizave dhe po i ndjekin zhvillimet.