Britania kërkon që Uashingtoni të mos tërhiqet nga marrëveshja me Iranin

Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson i bëri thirrje Presidentit Donald Trump të mos tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin, duke thënë se marrëveshja ka dobësi, por ato mund të trajtohen me kohë.

Boris Johnson, i cili ka ardhur për një vizitë në Uashington, takohet sot me nënpresidentin amerikan, Mike Pence dhe me këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, John Bolton. Zoti Johnson do të përpiqet të ndikojë tek administrata e presidentit Donald Trump, që të mos heqë dorë nga marrëveshja e arritur në vitin 2015 ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore për kufizimin e programit bërthamor iranian, në shkëmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Presidenti Trump, kritik i shpeshtë i asaj që ai e quan marrëveshje të mangët, ka kërcënuar për anulimin e saj dhe pritet që ai të marrë një vendim për këtë çështje deri më 12 maj.

Veç Britanisë, edhe Franca dhe Gjermania thanë sot se do të vazhdojnë ta ruajnë marrëveshjen bërthamore me Iranin, edhe në se vendimi i kësaj jave i Shteteve të Bashkuara mund të jetë për refuzimin e saj.

Britania, Kina, Franca, Rusia, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara e negociuan marrëveshjen me Iranin midis pretendimeve se Teherani po punonte për zhvillimin e armëve bërthamore. Irani vazhdimisht i ka mohuar pretendime të tilla, ndërsa ka theksuar se ka të drejtë të zhvillojë programin e raketave balistike për qëllime mbrojtjeje.

Presidenti iranian Hassan Rouhani tha sot se në se SHBA tërhiqen nga marrëveshja, Irani mund të vazhdojë me marrëveshjen ekzistuese me pjesën tjetër të negociatorëve, por është gjithashtu i përgatitur të ndjekë rrugën e vet.

VOA