Brenda 4-muajorit të parë të 2016-ës, sipas “Forbes”, Kina është bërë partneri i dytë tregtar për Shqipërinë

“Babagjyshi kinez po vjen në qytet! Për mirë apo për keq, kompanitë kineze kanë zëvendësuar partnerët tradicionale evropiane të investimeve si Italia dhe Turqia në Shqipëri”. Nis kështu artikulli i prestigjiozes amerikane “Forbes” kushtuar vendit tonë dhe interesit të madh që po tregon Kina për të investuar këtu vitet e fundit. Titulluar “‘Shqipëria po bëhet magneti i fundit i Kinës”, autori Kenneth Rapoza shkruan se rritja e investimeve kineze do të ndihmojë vendin tonë të kalojë nga statusi kandidat në një anëtar me të drejta të plota në Bashkimin Europian në të ardhmen e afërt. “Por si në çdo rast kur ekonomia numër 2 në botë troket, kinezët po përpiqen të sjellin qindra persona staf e personel në vendin tonë dhe kjo parë në kontekstin që shumica e kompanive investuese në asete strategjike janë shtetërore, krijon le të themi një habi në sallat e pushtetit në të gjithë Europën, veçanërisht në Bruksel. Disa prej politikanëve kryesorë në Shqipëri janë të shqetësuar për faktin se investimet kineze në të shumtën e rasteve kanë qëllim ekspansionin e saj në tregun e huaj dhe kjo është veçanërisht shqetësuese në rastin e Shqipërisë me shkallë papunësie 17.1%”, shkruan “Forbes”. Investimet kineze janë relativisht të reja kështu që për kompanitë e naftës si Geo-Jade Petrolium kjo është një botë krejt e re. Në prononcimin e tij për “Forbes”, kreu i parlamentit njëkohësisht kryetar i LSI-së Ilir Meta shprehet: “Kina është një partner i rëndësishëm ekonomik në Shqipëri, por ne kemi nevojë të sigurohemi se marrëveshja do të gjenerojë rritje ekonomike dhe do të krijojë më shumë vende të reja pune”.
“Forbes” jep dhe detaje për fushat e naftës që do kontrollojë Geo Jade Petrolium, veçanërisht për Patos Marinzën. Prestigjiozja amerikane përmend të gjitha investimet kineze në vendin tonë për të treguar shtrirjen e Pekinit në Shqipëri, duke mos harruar rrugën e Arbrit e cila po ndërtohet nga China State Construction apo edhe menaxhimin e aeroportit ndërkombëtar Nënë Tereza nga China Everbright. Brenda katër muajve të parë të 2016-s, Kina është bërë partneri i dytë më i madh tregtar për Shqipërinë, përfundon “Forbes”.

Investitorët e Kinës, më të mirë se emri i tyre

Sipërmarrje nga Kina kanë investuar që prej fillimit të vitit mbi gjashtë miliardë euro në Gjermani, tendenca është në rritje. Në Gjermani kjo shkakton frikë. Me të drejtë?

***

Megjithë paragjykimet që ekzistojnë “kinezët vijnë shpesh si shpëtimtarë në hall”, mendon Martin Franz, profesor në Universitetin e Osnabrückut. Së bashku me Sebastian Henn-in, nga Universiteti i Jenës dhe Jörg Ëeingarten-in nga PCG Projectconsult, ai ka vënë nën lupë investimet nga Brazili, Rusia, India dhe Kina (vendet e BRIC) në Gjermani. Libri i përbashkët do të dalë në qershor. Gjeografi i ekonomisë nga Osnabrücku përqendrohet në të tek investorët nga Kina dhe India. “Në fillim të projektit tonë studimor ne pritëm të ndeshnim shpesh pasoja negative për firmat e blera”, thotë ai. Por më pas, si sipërmarrësit, ashtu edhe këshillat e punonjësve në sipërmarrje e vlerësonin mjaft pozitivisht investorin. Ata thonë se investori mundësonte një rritje ekonomike, e cila përpara ishte thuajse e pamundur. Në mbi 60 për qind të rasteve, firmat para blerjes prej sipërmarrjeve kineze ndodheshin në vështirësi të mëdha financiare ose para falimentimit.
Edhe për kolektivat, blerësit hë për hë nuk sjellin disavantazhe. Shpesh lidheshin marrëveshje për sigurinë e zonës dhe të të punësuarve, praktikantët kalonin në organizmin e ri, anëtarësia në shoqatën e punëdhënësve vazhdonte. “Investorët kinezë nuk duan të bien në sy për keq”, thotë Franz. “Për menaxhimin gjerman të sipërmarrjeve ata kanë vlerësim relativisht të lartë, njëkohësisht menaxhimit kinez të sipërmarrjeve i mungon përvoja ndërkombëtare. Shumë në Gjermani dhe në vende të tjera presin që sipërmarrjet që blen Kina të drejtohen si të thuash me telekomandë që nga Kina dhe që menaxherët gjermanë të mos kenë të drejtë fjale”. Këtë nuk mund ta konfirmojmë, thonë studiuesit. “Në shumicën e rasteve, sipërmarrjet vazhdojnë të punojnë nën drejtimin gjerman dhe në biznesin e përditshëm ndryshojnë pak gjëra.”

Strategji e dy markave
Në njohuritë teknologjike nga Gjermania koncernet mëmë në Kinë padyshim që janë të interesuara. Por kjo nuk do të thotë që patentat transferohen pa e zgjatur në qendrën e koncerneve dhe që prej atëherë e njëjta gjë prodhohet në Kinë, thotë shkencëtari. Nëse koncerni mëmë dhe firma e blerë kanë qenë më parë konkurrentë në të njëjtin segment, në të ardhmen ndiqet një strategji e dy markave. Produkti gjerman forcohet si marka më me vlerë, produkti kinez ecën krahas tij si varianti më i lirë.
Që qendrat e prodhimit mbeten në Gjermani dhe kërkimet shkencore dhe zhvillimi madje zgjerohen më tej, këtë Oliver Emons e sheh si një strategji të re të investorëve kinezë. Eksperti për bashkëvendosjen në sipërmarrje ka studiuar blerjet e sipërmarrjeve të mesme gjermane nga sipërmarrjet e huaja deri në vitin 2015. Strategjia kineze bazohet në konkluzione të dyfishta “nga njëra anë, sepse për shkak të konkurrencës së brendshme dhe ndërkombëtare firmat kineze kanë nevojë për më shumë se një strukturë të mirë dhe të përshtatshme shpenzimesh; dhe së dyti, në faktin që sipërmarrjet nuk mund “të zhvendosen” thjesht pa e zgjatur në një vend tjetër si Kina. Kultura e sipërmarrjes, metodat e punës dhe punonjësit janë ato ku bazohet suksesi i mirëfilltë i sipërmarrjeve gjermane”.
Portofolet e mbushura mirë me para të investorëve nga Lindja e largët shpjegohen me direktivën “Going global” të qeverisë kineze. Për shtrirjen e veprimtarisë në vende të tjera, udhëheqja kineze vë në dispozicion kredi të leverdishme. Blerjen në vende dhe degë të caktuara ajo madje e mbështet edhe me lehtësi doganore dhe tatimore. Në Gjermani për shembull, synime tërheqëse të përcaktuara nga shteti janë elektroteknika, industria automobilistike, teknika ambientaliste dhe energjetike dhe materialet e reja. Veç kësaj, disa sipërmarrje kineze në Kinë kanë shënuar rritje kur e kanë zhvendosur një pjesë të prodhimit jashtë vendit – duke e shpërndarë më mirë rrezikun.
DWelle