Bota në rrezik, drejt shfuqizimit traktati SHBA-Rusi për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi

Shtetet e Bashkuara njoftuan të premten tërheqjen nga një traktat dhjetra vjeçar i kohës së Luftës së Ftohtë, që ndalonte një kategori të tërë armësh bërthamore, duke shkaktuar shqetësim tek disa analistë se ky veprim mund të shkaktojë një garë të re armatimesh.

Sekretari amerikan Shtetit Mike Pompeo e bëri njoftimin sot në Departamentin e Shtetit në Uashington.

Traktati SHBA-Rusi për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi ka qenë në fuqi që nga Lufta e Ftohtë dhe ishte ishte marrëveshja e parë e kontrollit të armëve në botë që ndalonte prodhimin e një kategorie të tërë armësh, posaçërisht të raketave që lëshohen nga toka me një rreze veprimi deri në 5,500 kilometra.

Tërheqja e SHBA-së pritej prej muajsh, për shkak të mosmarrëveshjeve të pazgjidhura me Moskën lidhur me mosrespektimin e paktit nga ana e Rusisë, gjë që kjo e fundit e mohon.

Zoti Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara e kanë humbur durimin me Rusinë lidhur me traktatin.

“Ne i dhamë Rusisë një hapësirë të mjaftueshme kohore për të ndrequr veprimet e saj dhe për të respektuar angazhimet e saj. Nesër kjo periudhë kohore mbaron. Rusia ka refuzuar të ndërmarrë hapa për të përmbushje të plotë të detyrimeve brenda këtyre 60 ditëve. Prandaj Shtetet e Bashkuara do t’i anullojnë detyrimet e tyre nën Traktatin për Armët Bërthamore, që nga data 2 shkurt. Do ta njoftojmë zyrtarisht Rusinë dhe palët e tjera të traktatit se Shtetet e Bashkuara po tërhiqen nga traktati pas gjashtë muajsh , nëse Rusia nuk rikthehet tek kushtet e paktit”.

Tërheqja ndodh gjithashtu për shkak të shqetësimit të SHBA-së se Kina, e cila nuk është pjesë e traktatit, po fitonte një avantazh ushtarak duke dislokuar raketa me rreze të gjerë veprimi që tejkalojnë kufirin e parashikuar nga traktati.

Zëvendës Ministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov u tha gazetarëve se tërheqja është “një goditje serioze ndaj sistemit ndërkombëtar për kontrollin e armëve dhe sistemin e mospërhapjes së armëve të shkatërrimit në masë, që ekzistojnë aktualisht”.

NATO-ja po thotë “aleatët e mbështesin plotësisht” tërheqjen dhe thotë se marrëveshja është shkelur nga Rusia, me të cilën aleanca ushtarake vazhdon “të shpresojë për një marrëdhënie konstruktive”.

VOA

(Titulli i redaksise)