Bota dënon provën e fundit me raketë të Koresë së Veriut

Prova e fundit e Koresë së Veriut që ajo pretendon se ishte me një raketë balistike ndërkontinentale ka shkaktuar shqetësime dhe është dënuar nga shumë vende të botës. Nuk është e qartë nëse prova është një dëshmi se Koreja e Veriut tani ka një raketë që mund të arrijë Shtetet e Bashkuara, por ajo tregon se Pheniani ka shënuar një arritje të rëndësishme në përpjekjet për të zhvilluar raketa që mund të pajisen me armë bërthamore. Edhe Kina dhe Rusia kanë reaguar ndaj veprimit të Phenianit ndërkohë që administrata e presidentit Trump po shqyrton alternativat e saj.

E martë në Moskë. Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping premtojnë të forcojnë aleancën e tyre kundër një Koreje të Veriut gjithnjë e më sfiduese.

“Ne kemi rënë dakord të punojmë intensivisht për nismën tonë të përbashkët për të gjetur një zgjidhje për çështjen koreane bazuar në programin e Rusisë me veprime hap pas hapi dhe idetë kineze për ngrirjen e njëkohshme të aktiviteteve bërthamore të Phenianit, si dhe stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut”, tha presidenti rus Vladimir Putin.

Koreja e Veriut pretendon se prova e saj e fundit ishte me një raketë balistike ndërkontinentale. Raketa ra në Detin e Japonisë dhe aftësitë e saj mbeten të paqarta.

Prova me raketë, e njëmbëdhjeta në këtë vit, ka shkaktuar frikë se vendi i izoluar mund të jetë më afër prodhimit të një arme që mund të godas Shtetet e Bashkuara.

Të hënën vonë, Presidenti Donald Trump shkroi në Twitter se “Koreja e Veriut sapo lëshoi një raketë tjetër”, duke pyetur, “A nuk ka ndonjë gjë më të mirë që ky njeri mund të bëjë me jetën e tij?” duke iu referuar udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Të premten, duke folur në Shtëpinë e Bardhë së bashku me presidentin e Koresë së Jugut, zoti Trump deklaroi se Shteteve të Bashkuara u ka mbaruar durimi me Korenë e Veriut.

“Epoka e durimit strategjik me regjimin e Koresë së Veriut ka dështuar. Pas shumë viteve ajo ka dështuar, dhe të them të drejtën edhe durimi ka mbaruar”.

Çështja e Koresë së Veriut ka të ngjarë të jetë në qendër të takimeve të Presidentit Trump me presidentin rus Vladimir Putin, atë kinez Xi Jinping dhe me udhëheqës të tjerë të G-20 këtë javë në Hamburg të Gjermanisë.