Bisedimet për pagat në funksionin publik, “Lufthansa” dhe “Air France” në grevë, qindra fluturime të anuluara

FRANKFURT, 10 prill /ATSH-AFP/ – Dy prej linjave ajrore më të mëdha të Europës janë prekur nga greva duke anuluar qindra fluturime dhe duke prekur kështu me mijëra udhëtarë.

Dhjetëra mijëra udhëtarë në Europë janë bllokuar si pasojë e lëvizjeve sociale të ngjashme në Francë dhe në Gjermani që kanë prekur disa aeroporte dhe gjigantët e aviacionit të dy vendeve.

Në Gjermani, grevat e organizuara në aeroportet e Frankfurtit, aeroporti më i madh në vend, Mynihut, Këlnit dhe Bremenit kanë detyruar gjermanin “Lufthansa” të anulojë më shumë se 800 fluturime duke prekur kështu rreth 90 000 pasagjerë.

Aeroporte të tjera, si ai i Leipzig, i Hanoverit dhe Hamburgut janë prekur gjithashtu.

Edhe “Eurowings”, filiali i gjigantit gjerman ajror është përfshirë gjithashtu në grevë.

Bëhet fjalë për një grevë paralajmëruese nga stafi i aeroporteve për të ndikuar në bisedimet për pagat në funksionin publik, që do të rifillojnë në mes të prillit.

Kjo mënyrë negociatash është klasike në Gjermani.

Njëkohësisht me kompaninë ajrore “Lufthansa”, edhe “Air France” ka anuluar një në 4 prej fluturimeve të saj (25%), pasi ekuipazhet e kësaj kompanie morën pjesë në grevë, në mbështetje të pretendimeve për rritjen me 6% të pagave.

Ndërkohë, “Air France” bëri të ditur se përballet me një kosto prej rreth 170 milionë eurosh, për shkak të një vale të gjatë grevash nga punonjësit e saj./
/ec/

https://ata.gov.al/2018/04/10/gjermani-lufthansa-dhe-air-france-ne-greve-qindra-fluturime-te-anuluara/