Bilanc tragjik nga zjarret në Athinë, dyshohet për 5 shqiptarë të vdekur

Greqia po kalon një situata alarmante si pasojë e zjarreve që kanë përfshirë një sipërfaqe të gjerë në periferi të Athinës.

Sipas raportimeve nga mediat greke, situata ka dalë jashtë kontrollit dhe zjarret kanë përfshirë dhjetëra banesa, biznese apo godina të ndryshme.

Numri i viktimave ka shkuar të paktën 54. Vetëm në një vend pranë një restoranti në Mati të Atikës janë gjetur 26 trupa njerëzish të djegur, midis tyre edhe fëmijë, ndërsa 150 persona ndodhen në spital, 15 prej të cilëve në gjendje të rëndë për jetën.

Bilanci pritet të rëndëohet edhe më tej pasi disa të plagosur kanë plagë të rënda. Flakët janë përhapur në dhjetëra vatra masive në të dyja anët e kryeqytetit grek.

Një ditë më parë autoritetet u bënë thirrje qytetarëve të braktisin banesat pasi flakët dolën jashtë kontrollit. Qeveria greke ka këkruar ndihmë ndëkrombëtare.

Vendet evropiane i janë përgjigjur thirrjes ndërkohë qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Duke iu referuar komunitetit shqiptar në Greqi, raportohet se në mesin e viktimave janë edhe 5 shqiptarë, mes të ciëlve tre burra dhe dy fëmijë.

“Tre burrat shqiptarë janë djegur në një restorant teksa ishin të punësuar aty. Gjithashtu mësohet se janë djegur edhe disa shtëpi të shqiptarëve ne Greqi. Ende nuk ka konfirmim zyrtar për shqiptarët që kanë humbur jetën” – raporton Balkanweb.

Ndërkohë që të plagosurit janë me qindra, mes tyre janë edhe 13 shqiptarë.

Emigranti shqiptar Mondi Sinaj u shprehe më herët se në zonën që ka rënë zjarri kishte shumë shqiptarë në punonin në banesat që janë djegur, ndërsa nga informacionet e para janë 13 të lënduar.

Përsa i përket shqiptarit që dyshohet se ka humbur jetën, ai është nga Tepelena dhe sipas Sinajt, nuk arriti që të dalë nga makina, pas zjarrit.

Lidhur me situatën ka reaguar edhe ambasada shqiptare në Greqi. Përmes një njoftimi ambasada bën me dije se nuk ka shtetas shqiptarë të lënduar deri tani.

“Ambasada shqiptare në Athinë shpreh ngushëllimet e saj më të sinqerta për familjet e viktimave të zjarreve në Greqi, ndërsa shprehim mbështetjen tonë të plotë ndaj autoriteteve greke. Theksojmë se Ambasada është vënë menjëherë në kontakt me qytetarë shqiptarë të zonave të prekura, ndërsa i bëjmë thirrje që për çdo nevojë t’i drejtohen Ambasadës në nr. +30 6941658183”- thuhet në njoftimin e ambasadës shqiptare.