BETEJA ELEKTORALE/ Basha: Rama e pranoi ‘Republikën e Re’, LSI ju mashtron me triskat e bukës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka thënë nga Kamza se pas 25 qershorit, pushtetin do ta ketë nën kontroll populli.

Sipas Bashës, me Kushtetutën e re, do të jenë qytetarët ata që do të vendosin për të shkarkuar politikanët dhe deputetët nga detyra.

“Nëse nuk japin llogari për premtimet që kanë bërë, populli ka të drejtë t’i shkarkojë, – tha Basha, – dhe nuk do të ndodhë që politikanët të kontrollojnë popullin. Më 18 maj republika e vjetër kapitulloi. Rama u përpoq të kafshonte republikën e re, por me sa duket e ka kuptuar atë fjalën popullore: ‘Kur nuk e kafshon, dot, puthe’”.

Basha sulmoi sërish edhe LSI-në e Ilir Metës: “Iku dhe SHPK-ja, s’ka më pazar, s’ka më matrapazllëqe, që iu mashtroi me triskat e bukës, me teserat e LSI-së për një vend pune, ndaj ua flakni triskat në fytyrë, kthehuni në shtëpinë tuaj, te PD-ja që është më e fortë se kurrë. Se edhe ne jemi detyruar të bëjmë kompromise të veçanta. Ka marrë fund, nuk do ketë më pazare të tilla, mos u bëni ‘baftjarë’ të republikës së re, bashkohuni me qytetarët e lirë të republikës së re”.