“Beteja e Tendës së Qypit dhe episode të tjera nga dimri i 1944-ës…”

Ekskluzive/ Kujtimet e Mehmet Shehut

Përshkrimi i Betejës së Tendës së Qypit në Skrapar dhe marrja e urdhrit për të nisur marshimin e famshëm për të shpëtuar Shtabin e Përgjithshëm që ishte rrethuar në Martanesh. Lufta e Qarrishtës dhe episode të tjera nga dimri i 1944-s…

2- TENDË E QYPIT

Në mëngjesin e 21 janarit, batalioni i 3-të është duke u ngjitur brinjave të Toshkëzit për në Vëndreshë. Koha është e kthjellët dhe rrezet e diellit shkrijnë cipën e ngrirë të tokës dhe e transformojnë në baltë, e cila na pengon lëvizjen. Nga ana tjetër, batalioni i 1-rë, është nisur nga Suka në drejtim të Kajcës për të dalë edhe ky në Vëndreshë. Informata të sigurta mbi armikun nuk kemi, vetëm dimë se disa qindra gjermanë ndodhen në Skrapar; se ku, nuk dihet. Populli i Dëshnicës e ka parë dhe herë të tjera Brigadën e Parë, e, kur kalojmë rrugës, fshatarët, burra, gra, kalamaj, dalin anës së rrugëve për të na parë së afërmi. Dikush prej fshatarëve ka sjellë me vete dhe nga një bukë të misërt nën sqetull për partizanët, se e dinë që ata kanë uri e s’kanë ku të hanë veç nga populli.

Është ora dy pasmesdite. Pararoja jonë ka dalë përmbi Vëndreshë dhe na lajmëron gojë pas goje se nga ana e djathtë po dëgjohen të shtëna mitralozash. Shpejtojmë dhe dalim të gjithë pas bregut përmbi Vëndreshë, nga e majta e Tendës së Qypit. Partizanët pëshpëritin me njëri-tjetrin e shprehin në fytyrat e tyre gatishmërinë për sulm.

Kur dalim në kodër, përgjojmë e pas pak nga e djathta jonë, dëgjojmë disa krisma të rralla mitralozi gjerman dhe italian. Nisim një patrullë zbuluese, e cila pas pesë minutash na kthehet bashkë me shokun Zylyftar Veleshnja, nënkomandant i qarkut të Beratit. Zylyftari me gëzim të madh na përshëndet me “Vdekje fashizmit” e dikush nga ne përqafohet me të.

– Ne dinim se ju ishit në Vlorë dje, nga na dolët këtej menjëherë? Edhe ushtria jonë ka motorizantë. Brigada e Parë fluturon me krahë.

Me këto fjalë Zylyftari shpreh dashurinë që ka për Brigadën e Parë, e cila manovron me shpejtësi nga një krahinë në tjetrën për të ndihmuar popullin kundër armikut.

Zylyftari na informon se një kolonë gjermane prej 600 vetash, me artileri e mortaja të rënda, është nisur qysh në mëngjes nga Çorovoda, ka hyrë në Veleshnjë e po sulmon drejt Tendës së Qypit. Njëqind partizanë të terrenit të Skraparit, nën komandën e Zylyftarit, po bëjnë qëndresë në Tendën e Qypit, por qëndresa e tyre nuk është e fortë dhe në qoftë se nuk shpejtojmë që t’i kundërsulmojmë gjermanët me forca të Brigadës së Parë, Tenda e Qypit do të na shpëtojë nga duart brenda një kohe të shkurtër. Ky është mendimi i Zylyftarit.

Në qoftë se do t’i lemë gjermanët të hipin në Tendën e Qypit, kjo do të thotë që t’u lëmë atyre rrugën hapët për në Këlcyrë e Përmet. Tenda e Qypit është një pikë strategjike që zotëron Dëshnicën e vendet rreth e përqark e aty duhet ndaluar armiku me çdo kusht, për të mos lënë që forcave tona në Përmet (të Brigadës së Gjashtë), si dhe atyre në Zagori (një pjesë të Brigadës së Parë ), t’u merren krahët nga gjermanët dhe t’u pritet rruga e tërheqjes për në Dangëlli. Tenda e Qypit është kyçi më me rëndësi dhe vendimtar për zhvillimin e gjithë gjendjes ushtarake të rretheve të Përmetit, Këlcyrës dhe Zagorisë.

Dalim më përpara bashkë me Zylyftarin, shohim lëvizjen e gjermanëve dhe vendosim sulmin.

Partizanët e kuptojnë gjendjen dhe, kur dëgjojnë mitralozat e gjermanëve, nxiten dhe duan të sulmojnë. Dikush proteston me zë të ulët:

– Ç’presim akoma, përse nuk sulmojmë? – Është zëri i shokut Mefail Rozani, komandant i kompanisë së dytë të batalionit të tretë.

– A jeni gati për sulm? – Pyet shoku Gjeli Argjiri, komandant i batalionit.

– Në sulm, në sulm! – Bërtasin që të gjithë.

– Sos kemi ardhur këtu për të ngrënë qofte apo për të fjetur, – thotë mënjanë Mefaili…

Me të shpejtë zëmë bazën e nisjes për sulm. Armiku ka diktuar lëvizjen tonë e po na rreh me artileri e mortaja të rënda. Mitralozat gjermanë po dëgjohen më afër. Duhet të shpejtojmë, ndryshe do të na shpëtojë zogu nga dora. Batalioni i parë nuk ka ardhur akoma. Por e dimë se, pas pak, do të na vijë në ndihmë. Shpejtojmë nga ana e djathtë dhe i afrohemi Tendës së Qypit. Mitralozi gjerman këput degët e shkozave dhe të lajthive gjatë gjithë qafës dhe bregut. Pas bregut përgatitim sulmin.

Komandanti i batalionit, Gjeli Argjiri, me kompaninë e dytë, merr sektorin më të rrezikshëm në qendër. Nënkomandanti i batalionit, me një kompani tjetër, do të sulmojë nga ana e majtë. Kompania e tretë vendoset si mbështetje, gati që të ndërhyjë, kur të jetë nevoja. Ndërmarrja është shumë e rrezikshme. Zjarri i armikut është i tmerrshëm; nuk nxjerr dot kokën në majë të bregut se të qeth mitralozi i armikut. Zylyftarin e lëmë nga e majta, për të na siguruar krahët.

“Ta-ti… ta-ti… !”

Është zëri i borisë që jep shenjën e sulmit e menjëherë të dy kompanitë sulmuese vërsulen si të tërbuara përmbi armikun, drejt bregut poshtë. Në këtë kohë kompania mbështetëse hap zjarr mbi armikun për të mbrojtur sulmuesit tanë. Shpërthen një luftë e rreptë e nuk kuptohet gjë tjetër veçse të sokëllitura, të bërtitura, krisma të pareshtura mitralozash, pushkësh, bombash e herë-herë dëgjohet zëri i borisë sonë, që nxit partizanët dhe tmerron armikun. Pas katër minutash fillon përleshja me bomba dore. Tym e flakë ngado që të hedhësh sytë nëpër pyllin me lajthi, midis Tendës së Qypit dhe Veleshnjës. Mefaili, në krye të kompanisë së tij ka përparuar më tepër se kushdo tjetër. Me një skuadër është shkëputur nga kompania dhe po përzë këmba-këmbës nja pesëdhjetë gjermanë. Plagoset Gjeli, por nuk u thotë shokëve se u plagos. Pas pesë minutash, duke u përleshur me gjermanët, plagoset edhe një herë tjetër. por këtë radhë rënde dhe detyrohet të tërhiqet. Pranë tij bie i vrarë Sotir Bulgareci, partizan i vjetër.

Gjermanët menjëherë kundërsulmojnë. Një kompani sulmon krahun tonë të majtë, por pritet nga Zylyftari me një grup partizanësh të Skraparit. Me bomba dore gjermanët thyhen. Por Zylyftari plagoset rëndë, gjithashtu dhe Iliaz Sevrani, komisar i grupit të Skraparit. Mefaili me kompaninë e tij është futur shumë thellë dhe gjermanët mundin t’i marrin krahët, duke u futur midis tij dhe kompanisë mbështetëse. Është një çast tragjik: Lufta ashpërsohet edhe më tepër. Kompania e dytë është në rrezik, sepse është futur shumë thellë, Mefaili, për të shpëtuar kompani-në, sulmon vetëm me një skuadër dhe u jep urdhër skuadrave të tjera të tërhiqen, për të zënë pozicione të sigurta. Pas pak, si gjermanët ashtu edhe Mefaili po shpejtojnë, kush e kush ta zërë më përpara një kokojkë të vogël të fortifikuar që në luftën italo-greke. Mefaili e di se, po ta kapë armiku atë pozicion, e gjithë kompania e tij vihet në rrezik. Por të dy palët janë në largësi të barabartë nga pozicioni. Gjermanët, nga një anë, dhe Mefaili, nga ana tjetër, mbërrijnë në të njëjtën kohë afër majës së kodrinës së vogël. Aty fillon përleshja trup me trup. Mefaili, me gjithë shokë, në tokë të hapët, lufton me bomba dore larg shokëve të tjerë. Ndihma nuk mund t’u mbërrijë me kohë, Gjermanët janë më të shumtë në numër. Mefaili i thyen dy herë. Për të tretën herë ata sulmojnë me bomba dore. Mefaili përleshet trup me trup me ta. Pasi i mbarohen bombat e dorës e pushkën s’mund ta përdorë më, nxjerr thikën dhe u turret gjermanëve. Kap njërin, i ngul thikën në kraharor dhe e shtrin përdhe. Mundohet të kapë një tjetër, por tre gjermanë i hidhen përsipër dhe e vënë poshtë. Shokët e tjerë — ata që kanë thika, bëjnë të njëjtën gjë. Tre partizanë janë vrarë se u janë mbaruar bombat e dorës dhe s’kanë me ç’luftojnë tjetër. Mefaili përpiqet nën peshën e tre gjermanëve, po më kot. Një thikë naziste i ngulet deri në zemër dhe Mefaili mbaron. Në këtë kohë ia mbërrin batalioni i parë. Hija e natës po mbulon horizontin. Dy kompani të batalionit të parë, në marshim e sipër, sulmojnë ashpërsisht dhe, në pak kohë, e përmbysin gjendjen në favorin tonë. Gjermanët shkulen nga të gjitha pozicionet dhe në errësirën e natës bredhin me vrap pyjeve dhe buzave, të shpartalluar. Nga ana e majtë është akoma një grup gjermanësh, që bën qëndresë. Komisari i batalionit të parë me një kompani sulmon në atë drejtim. Nga errësira e natës është shumë zor të mbahet lidhja. Komisari u afrohet deri më pesëdhjetë metra me tre partizanë dhe menjëherë hap zjarr. Gjermanët qëndrojnë. Mbetet i vrarë aty komunisti Sulo Buzheli. por armiku thyhet dhe merr arratinë.

Në këtë luftë që zgjati gjashtë orë: të gjashtëqind gjermanët shpartallohen, kanë lënë mbi njëqind e njëzet të vrarë, pesëdhjetë kuaj të vrarë, pesë mitraloza të rendë, një mortajë, një top. shtatëdhjetë kuaj me municion e batanije. Luftimi merr fund dhe vendoset heshtja magjike e natës. Mbeturinat e gjermanëve grumbullohen në Çorovodë.

Para se të bjerë nata, toka ka filluar të ngrijë. Është shumë ftohtë. Të gjithë përqendrohemi në Tendën e Qypit. Partizanët janë të uritur e të lodhur, mërdhijnë. Tenda e Qypit është në duart tona. Kontrollojmë kompanitë. Në këtë luftë na kanë mbetur 11 të vrarë dhe tre të plagosur. Kanë rënë heroikisht në sheshin e luftës: komunisti Mefail Rozani, komandant i kompanisë së dytë, batalioni i 3-të; Sotir Bulgareci, komunist, nënkomandant i kompanisë së tretë, batalioni i 3-të; i riu komunist Sabri Caka, kompania e dytë, batalioni i 3-të; i riu komunist Gani Agolli, kompania e parë, batalioni i 3-të; i riu komunist Maksut Koxhaxhiku, kompania e dytë, batalioni i 3-të; i riu komunist Pirro Gazepi, kompania e dytë, batalioni i 3-të; i riu komunist Leka Babaliu, kompania e tretë, batalioni i 3-të; i riu komunist Pirro Palla, kompania e tre-të, batalioni i 3-të; partizani Fiqret Lushnja, kompania e dytë, batalioni i 3-të; komunisti Sulo Buxheli, skuadërkomandant i kompanisë së parë, batalioni i 1-rë; partizani Ago Topulli, kompania e parë, batalioni i 1-rë.

Gjermanët organizohen në Çorovodë dhe ne mëngjesin e 22 janarit ndodhen në Kalanë e Sllatinës. Të nesërmen u vjen ndihmë nga Berati. Gjithashtu u vjen në ndihmë edhe një kolonë tjetër gjermane nga Tomo-rica e përbërë prej 700 ushtarësh me artileri. Në planet që i kemi zënë një kapiteni gjerman të vrarë tregohet qartë qëllimi i këtyre kolonave armike: Të ka-pin Tendën e Qypit dhe prej andej të sulmojnë drejt Këlcyrës dhe Përmetit. Më 23 janar armiku fillon sulme të reja kundër forcave tona në Tendën e Qypit, nga ana e Sllatinës, nga Cerova, nga Spathara dhe nga Vëndresha. Neve na ka ardhur në ndihmë edhe një kom-pani e batalionit “Antonio Gramshi”. Veprimet vazhdojnë për gjashtë ditë rresht me sulme e kundërsulme të ashpra në të cilat gjermanët lënë edhe 45 të vrarë të tjerë. Nga ana jonë mbetën të vrarë partizanët e batalionit –“Gramshi”- Mario dhe Franko. Tenda e Qypit mbetet në duart tona derisa mbarohet qëllimi. Forcat tona në Këlcyrë. Përmet e Zagori i kanë shkaktuar humbje të rënda armikut e tash ndodhen jashtë çdo rreziku.