BETEJA E SHIFRAVE/ Përçahet maxhoranca, aleatët historikë braktisin Ramën për mandatët e tyre

Hyrja në zgjedhje pa koalicione ka tronditur partitë e vogla të PS-së të cilat janë hedhur në sulm për të marrë deputetë.  Pas thirrjes për tërheqje nga gara të disa prej përfaqësuesve të partive të vogla ndaj aleatëve historikë të PS-së, si Skënder Gjinushi e Paskal Milo kanë ardhur dhe dy reagimet e para negative, të cilët e kanë kundërshtuar këtë veprim të kreut të PS-së.

Skënder Gjinushi

Duke komentuar paktin e 18 majit kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi thotë se, PD bëri hile në marrëveshjen Rama-Basha duke marrë nën sqetull aleatët e saj, ndërsa Partia Socialiste gaboi dhe  tani do ta thellojë gabimin me thirrjet e dëshpëruara të aleatëve që mbeten rrugëve. Në një intervistë telefonike për Ora News Gjinushi tha se, me këtë vendim PS nuk i bën dot as 70 mandate në zgjedhjet e 25 qershorit. “Koalicionet lejohen nga Kodi dhe i lejon marrëveshja e partive, ky është skandali juridik që ka ndodhur në Shqipëri. Dhe me porosi të Lul Bashës, nuk lejohen të garojnë  aleatët e PSD-së. Do të përpiqen ti pengojnë, ndërkohë që vetë Basha, apo Berisha më saktë, aleatët e vet i mori nën sqetull dhe PS ka ngelur vetëm. Dhe e  vetme nuk fiton. Ia kemi thënë në 2009, nuk dëgjoi, na kërkoi falje, dhe nuk duam që të na kërkojë falje prapë. Me këtë rast i bëj thirrje dhe Edi Ramës t’i bëjë llogaritë mirë sepse i duhet absolutisht bashkëpunimi me PSD, pavarësisht presionit që ka nga të vetët për interesa personale. Sepse pa mandatet e PSD-se e majta nuk fiton dot mbi 70 mandate. Në thelb është kjo: Hajde të merremi vesh me njëri tjetrin dhe të lëmë në baltë të tjerët. PD prapë bëri një “hile” sepse aleatët e vet i grumbulloi. PS gaboi dhe tani do ta thellojë gabimin me këto thirrje të dëshpëruara të aleatëve që mbeten rrugëve. Për aleatët që mbeten rrugëve unë shpreh keqardhje dhe tani të jenë më në krah tonin, sesa të PS-së, ase PS dhe PSD sepse vetëm kështu fitohet”,- theksoi dje kreu i PSD-së.

Paskal Milo

Përveç kreut të PSD-së, Gjinushi edhe kreu i PDS-së, Paskal Milo ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga gara.  Ai u shpreh se është i hapur për bisedime, por ka një apel për Ramën. “Ne nuk na ka ftuar njeri. Këtë takim nuk e realizojnë partitë e vogla. Ne s’jemi ftuar. Petro Koçi nuk është regjistruar si parti, s’ka si të tërhiqet si parti. Rama nuk duhet të më bënte thirrje të tërhiqem përmes të tretëve. Ne kemi identitetin tonë, politikat tona. Nuk mund të kthehemi në shërbëtor të dikujt që kërkon pushtet, dhe nuk ndajnë qeverisje në një kohë që s’kanë bërë asgjë. Do i bëj thirrje mbështetëseve të mi do i mbledh sot dhe do mundohemi të fitojmë në këto zgjedhje 1 mandat deputeti”,- tha dje Paskal Milo në një intervistë në Nevvs 24. Milo foli për dy anë të kësaj marrëveshje, ajo çka mbështetën gjithë shqiptarët, por dhe për një anë të errët të saj. “Marrëveshja ishte shumë e mirë, pasi duhej futja e opozitës në zgjedhje. Marrëveshja ka dhe pjesën e errët të saj. Në substancë është marrëveshje Rama-Berisha. Jo se zoti Basha se ka arritur lidershipin e ti, pasi ka fituar shumë, por fakti është se Berisha e thotë fjalën i fundit”, -tha Milo. Nga ana tjetër ai komentoi dhe faktin se si u duk kjo marrëveshje në sytë e shqiptarëve. “Unë besoj se në përgjithësi marrëveshja duhet të jetë pritur mirë, sidomos pjesën e parë. Pjesa e dytë e marrëveshjes ka ngjallur dyshime, madje dhe ne na takon që të takojmë qytetarë, që shprehen hapur kundër. Ky është një koalicion PD-PS, dy partitë e mëdha, kundër të voglave. Kjo marrëveshje është si ajo e 2008, për të vendosur bipolaritetin e politikës shqiptare. Janë arritur marrëveshje në dëm të të tretëve dhe marrëveshjet e tyre nuk janë të motivuara nga interesat e shqiptarëve”, pohoi kreu i PDS-së, Paskal Milo.

Petro Koçi

Marrëveshja Rama-Basha që i dha fund krizës politike dhe siguron zgjedhje gjithëpërfshirëse, ka një pikë, e cila nuk lejon koalicione. Kjo ka bërë që aleatë të partive të mëdha të tërhiqen nga gara, duke mos penguar votat e partive të mëdha. Konkretisht, nga gara janë tërhequr dje 3 aleatët e vegjël të majtë, duke kërkuar nga mbështetësit e tyre që të votojnë Partinë Socialiste. Ata u kanë bërë thirrje elektoratit të tyre që në datën 25 qershor “të mos e hedhin votën kot”, por të votojnë PS-në. PSV ‘91, Partia Socialiste e Moderuar (PSM) si dhe Uniteti Kombëtar edhe pse janë regjistruar në KQZ si forca garuese në zgjedhjet parlamentare, kanë vendosur sot të dalin nga gara. Vendimi i tre partive të majta erdhi pas takimit të krerëve të tyre me kryetarin e PS dhe njëherazi Kryeministrin Edi Rama si dhe Sekretarin për Koalicionet në PS, Musa Ulqini. Kryetari i PSV ‘91, Petro Koçi pohoi se mbështetësit e tij të votojnë për PS. “Duke pasur parasysh që nuk janë regjistruar koalicione, kemi vendosur që të mbështesim PS që të sigurojë 71 mandate. Çdo votë e hedhur për partitë e vogla dëmton Partinë Socialiste. Disa subjekte janë regjistruar, që do të thotë se çdo votë e hedhur për ato dëmton PS”, tha ai. Koçi i bëri thirrje edhe Gjinushit dhe Milos që të tërhiqen nga gara dhe që vota të shkojë për PS. Ndërsa Gjergj Koja i PSM, thekoi se “Mbledhja vendosi që aleatët e PS t’u bëjmë thirrje mbështetësve të votojnë PS si e vetmja mundësi për të vazhduar reformat pas 25 qershorit. Çdo aventurë tjetër do të ishte e rrezikshme. Vendimmarrja ishte totalisht e pavarur, unanimiteti ishte i plotë. Kjo është e vetmja mënyrë ne të mos bëjmë eksperimente për të ardhmen e Shqipërisë”, -tha ai. Ndërsa Idajet Beqiri, kryetar i Partisë Uniteti Kombëtar, deklaroi se “nuk ka asnjë zhgënjim te aleatët, kjo është strategji e partive të majta për maksimizuar fitoren. Premtimi i vetëm nga Rama është që të vazhdojë reformat dhe ne këtë kërkojmë”,- theksoi ai.