Burrë e grua mish e thua – ky proverb me sa duket së shpejti duhet të modifikohet. Kancelarja Merkel shprehet pro martesës së homoseksualëve dhe lesbikeve.
Si ndodhi kjo kthesë në mendësinë e Angela Merkelit? Sipas komentatorit të Deutsche Welles, Gero Schließ, këtë gjë Merkeli e bën thjesht për arsye taktike për të vazhduar mbajtjen e pushtetit.
Merkel heq dorë nga rezistenca
Një grup deputetësh homoseksualë nga radhët e partive konservatore kishte kërkuar prej kohësh që të lejohet martesa e homoseksualëve dhe e lesbikeve. Po kancelarja Merkel ishte kundër kësaj. Në vitin 2013 ajo qe shprehur gjatë fushatës elektorale se e ka të vështirë ta pranojë njohjen e partneritetit mes një çifti homoseksual si të barabartë me martesën e një çifti burrë e grua.

Martesa e homoseksualëve dhe e lesbikeve pritet pra të bëhet së shpejti e lejueshme në Gjermani, sepse të Gjelbrit kanë qenë dakord me këtë që në vitin 2005, SPD-ja dhe E Majta u shprehën pro në vitin 2011 dhe FDP-ja në vitin 2012. Pavarësisht motiveve të kancelares Merkel që e bën këtë hap për arsye se do të ruaj pushtetin, komuniteti LGBT në Gjermani është i gëzuar dhe ky është një lajm i mirë për ta. DW