Beteja e ashpër mes Andi Bushatit dhe Artur Zhejit. Ja çfarë thonë për njëri-tjetrin, akuza dhe kundërakuza

Pse vazhdoj të qesh me Zhejin

Nga Andi Bushati

Kam vendosur të qesh me Artur Zhejin. Kam vendosur të qesh me këtë “koleg” që vendosi t’i kthehet profesionit të gazetarit të pavarur, pasi nuk u zgjodh dot më as deputet (siç u përpoq në Durrës në 2009 me LSI-në), as Drejtor i Televizionit Publik (falë Nanos) dhe as drejtori i ATSH-së (falë Berishës).

Kam vendosur të qesh prej një kohe të gjatë edhe kur më thonë që të mos i përgjigjem një njeriu që për shkak të një vesi që ia njohin të gjithë, është gjithnjë në kërkim të parave. Kam vendosur të qesh kur më thotë se unë i shërbej Edi Ramës dhe e besoj këtë fabul marroke, po aq sa i besoj trillimit të çmendur se ky paladin i vlerave kombëtare, qenkësh një bir i Skënderbeut.

Kam vendosur të qesh dhe natyrisht ta anashkaloj këtë tribun publik, që kolegët e mijë më të mirë më këshillojnë që të mos i përgjigjem, pasi ai tenton të shndërrojë hallet prej pengu, në debate idesh. Në fakt, nuk do të kishte asgjë më të lehtë sesa të çmontoje botërisht këtë obez mediatik që mashtrimet i ka në përmasat e orekseve të veta.

Mund ta bëja fare lehtë këtë, boll t’i përmendja atë mashtrimin e fundit sikur videot me seks që ai kishte parë, ia kishte treguar Mentor Kikia. Ai nuk foli asnjë fjalë, pasi Kryeredaktori i Top- Channel e nxori bllof duke vërtetuar edhe njëherë se gënjente për llogari të tjetërkujt. Mund ta bëja fare lehtë, duke i kujtuar kohën e artë, kur ishte drejtori i RTSh-së dhe kur zhduku nga fushata elektorale e 2005 edhe PD edhe LSI. Ishte ajo kohë kur drejtuesi i televizionit që i përkiste publikut, shkruante fjalimet qesharake të “zogut vetmitar” dhe arrinte deri aty sa bënte edhe këshilltarin estetik të zonjës së vetmuar.

Mund ta bëja fare lehtë duke i kujtuar se në emër të servilizmit të theksuar ndaj Nanos që në fakt fshihte të tjera interesa, Kontrolli i Lartë i Shtetit e bëri subjekt të abuzimeve. Mund ta bëja fare lehtë duke i kujtuar se si pasi nuk e kishte pasqyruar fare gjatë fushatës, i çoi në selinë e PD-së, autobusin e lidhjeve direkte Berishës pas fitores, aq sa RD-ja i bëri thirrje që ta largonte atë gërdallë që tashmë nuk i duhej më.

Mund të qeshja pafund më këtë ithtar të shprehjes “ç’më duhet mua se çfarë kam thënë unë” kur kujtoj se kandidati i LSI-së për deputet bënte fushatë në Durrës duke akuzuar Sali Gërdecin, por ama, menjëherë pas zgjedhjeve, po i njëjti, u shndërrua në drejtor të ATSh-së me firmën e Saliut. Mund të qesh hidhur kur kujtoj se si mbronte në 21 janar vrasjet në bulevard duke vënë shërbimin ndaj pushtetit mbi skrupujt për fytyrën e tij. Kur e kujtoj si lëshonte britma histerike kundër atyre që guxonin të preknin gardhin e Kryeministrisë dhe se si i bërtiste në studio: “spiuuuuuuun” kolegëve që mbronin ide të ndryshme nga të tijat.

Mund të qesh me neveri kur kujtoj se sa në hall qe kur i duhej të komentonte kapjen e Metës me bllok në dorë dhe shfajësohej si gjithë eunukët: “do të flas kur të flasë drejtësia”. Mund të qesh e të gajasem kur kujtoj se si i mbronte votat e vjedhura të Bashës, se si bëri këshilltarin okult dhe mbrojtësin e pavarur të fushatës së tij.

Mund ta bëj këtë kur kujtoj se si prodhoi ato shkrimet për “holandezin fluturues” lulet e të cilit po çelnin në Tiranë, artikuj që në vend që të shkonin tek publiku, përfunduan të botuara të plota në Antenën humoristike të Mero Bazes. Mund të pushoj së qeshuri dhe ta përçmoj kur kujtoj se si papritmas ky mbrojtës i flaktë i “Doktorit të madh” dhe “Holandezit të lulëzuar” u bë ithtar i maxhorancës së re të pas 23 qershorit. E njëjta ndjenjë më vinte kur e shihja se si spërdridhej e s’kishte argument në debatin parazgjedhor me Shkullakun, në Zonë e Lirë, kur duhej të fliste për masakrën elektorale të Vorës.

E njëjta ndjenjë më vinte kur e shihja në të njëjtën përballje se si zhvlerësonte emigrimin masiv të shqiptarëve duke e shikuar si një mundësi “për ngritjen kulturore të tyre” (fatmirësisht arkivat e emisionit të Çanit janë të ruajtura të gjitha). E njëjta ndjenjë më vinte kur e shihja se si hakërrehej kundër Blushit duke mbrojtur tezën se Rama është fitues i 1 milion votave dhe prandaj nuk është e nevojshme të bëjë zgjedhje në PS.

E njëjta ndjenjë më vinte kur e shihja në studion e “Faktit” të Çim Pekës (edhe këtu arkivat janë) të mbronte ardhjen e armëve kimike në Shqipëri. Sot thotë, pa pikë turpi, se ka luftuar që këto armë të mos vinin. Ashtu sikurse argumentet për largimin masiv të shqiptarëve (pasi ka harruar se si ka debatuar me Shkullakun) i ka kthyer nga argument në mbrojtje të Ramës, në një armë kundër tij. Ashtu sikurse Ramën që mbyt liritë në PS, sot e ka përvetësuar si tezë të tij.

Njerëzit që e njohin thonë se ky transformim i fundit i ka ardhur pas një takimi me Kryeministrin, të cilit i ka kërkuar të kthehet tek thesari i jetës së tij, në Televizionin Publik dhe vetëm pasi nuk e ka kapur peshkun e madh, ka ndryshuar përsëri qëndrim. Por, unë besoj se ky është një thashethem, për sa kohë nuk e kam të vërtetuar. Një thashethem ndoshta aq i pabesueshëm sa edhe prejardhja e Arturit nga Skënderbeu.

Por mjafton ky parakalim i shpejtë tek piruetat e tij, për të vërtetuar se kam pasur të drejtë që kam qeshur me ‘të dhe nuk e kam marrë seriozisht. Ia kam kuptuar hallin, dobësitë njerëzore prezente tek të gjithë, borxhet që harbuesi i orëve të vona të natës, i ka opinionisti që shkruan ditën. Por, ndoshta ka një moment që i duhet thënë mjaft këtij qëndrimi hokatar, kur ky pehlivan që duhej të kishte frikë të nxirrte fytyrën në publik, guxon e thotë se jam unë që po fshihem.

Kur ky sharlatan më akuzon mua se i shërbej Edi Ramës. Kur më përshkruan si dikë që militon që Kryeministri të kapë drejtësinë. Vetëm me dy fjalë, jo për ‘të, por për ata pak njerëz që nuk e njohin ende, dua të them se unë e konsideroj Ramën një të keqe të madhe. Një prijës së bandës së kleptokratëve që po vazhdojnë të plaçkitin këtë vend. Një njeri, që po mori në dorë drejtësinë do ta bëjë një gërmadhë më të madhe sesa PS-ja që drejton prej një dekade.

Por ama thënë këtë, nuk e kuptoj si për këto arsye mund të jesh kokë e këmbë kundër Ramës dhe të mbrosh Ilir Metën. Si mund ta quash njërin rrezik dhe tjetrin garanci?

Si mund të quash njërin fatkeqësi dhe tjetrin shpresë, kur ata po e plaçkitin dhe rrënojnë bashkërisht këtë vend?

Si mund të jesh kundër Ramës sot për të njëjtat arsye që ke qenë pro Nanos dikur dhe Berishës dje?

Mua më mundojnë këto pyetje. Sepse për «paaftësinë » time s’kam arritur të jem me asnjë Kryeministër.

Me sa duket Artur Zhejin jo. Ai e ka pasur aftësinë (këtu e pranoj është më i zoti se shumë të tjerët) t’i shërbejë edhe të parit dhe të dytit duke u paguar për devotshmërinë e tij me para publike. Le t’i gëzojë. Ashtu sikurse më bëhet qejfi që i shijon edhe sot shërbimet për Ilir Metën.

Për këtë e kam lënë në rrugën e tij. Kam qeshur me piruetet që bën dhe i jam bashkuar shpesh atyre që janë gajasur me paturpësinë që ka për të ndryshuar lëkurë. Puna e tij.

Tani ka ca kohë që ka vendosur të bëjë opozitarin. Përsëri po qesh. Se është një punë që do t’i zgjasë deri sa të strehohet në ndonjë zyrë shteti. Zoti e ndihmoftë. Lapsi.al

 

Pse është nervoz Andi Bushati?

Nga Artur Zheji

Dje fola në telefon me një koleg dhe një shok të vjetër të Bushatit.

“E ke mërzitur shumë Bushatin”,- më tha. “Ai shqetësohet shumë nga shkrimet e tua!”- vazhdoi kolegu me një nënqeshje të pakuptueshme, nëse po më inkurajonte apo po më frenonte.

“Një si ai që gjuan mbas ferrës së “faqes”, pa emër dhe nën brez, madje, gjithmonë e më poshtë brezit, nuk ka pse të mërzitet dhe të shqetësohet!”,- iu përgjigja.

Por ja, kolegu kishte të drejtë. Bushati, mbas ferrës së Portalit të vet, pa emër, lëshon gjilpërkat e veta të helmatisura, për shkrime dhe qëndrime që unë, të mira apo të këqija qofshin, i kam bërë ballas dhe u kam vënë emër e mbiemër poshtë.

Dhe “fap”, i “Mërzituri”, sepse 360grade.al, duket se i ka çmontuar skemën “elegante” të të ndihmuarit dhe të të shërbyerit të Kryeministrit, ulet, rrëmben lap top dhe duke ruajtur rregullën e gjuajtjes së gjilpërkave mbas “Ferrës së Portalit”, që e përdor si nickname, më akuzon mua, hiçmë pak se për “antiamerikanizëm”…

Edhe kjo si një ndihmë e vyer për Kryeministrin, për të deformuar frymën e një kritike të ashpër. Bushati pra, si një mburojë e Ed Ramës, duke sulmuar Tur Zhejin, që kritikon Ed Ramën! “Ah sa bukur, a!” do të thoshte pra Arjan Çani.

Por duke ju kthyer gazetarisë, ja zoti Bushat, 10 pika ku gabohesh:

  1. Kur gjyshi im, Spiro Zheji, dëgjonte fshehtas “Zërin e Amerikës” apo “Radio Londrën”, në pritje të ndonjë zbarkimi fatlum antibolshevik në Shqipëri, gjyshi yt, Besniku i Partisë, rehatohej në oxhakun e shtëpisë së gjyshit tim, që diktatura ia kish shtetëzuar dhe ia kish dhuruar bosëve të vet. Është rastësi, por në atë oborr, në vend që të rritesha unë, u rrite ti. Por s’kam mëri për këtë dhe ti e di. Pra gjenetikisht dhe nga ana “biografike”, kam lindur proamerikan. Por nuk kam pse mburrem për këtë.
  2. Në artikullin tim, me emër dhe mbiemër dhe me fytyrën time përsipër, të hapur sa më s’ka, mirë apo gabim e paça, unë kam renditur mendimet e mia për Reformën në Drejtësi dhe nuk e kam akuzuar në asnjë moment ambasadorin Lu. Ajo që shkruan i “Mërzituri”, është pra një fals i qëllimshëm dhe një stekë e ulur më poshtë s’bëhet.
  3. Në këtë letër të hapur, nuk mund të mos nënvizoja se ambasadori Lu, ka bërë një diferencim jodiplomatik, ndërmjet liderit të Opozitës Lulëzim Basha dhe Kryeministrit Rama. Dhe kam shkruar hapur dhe jo mbrapa “ferrës”, që kjo gjë nuk më tingëllon mirë! Kjo ty të mërzit kaq shumë Bushat? Sa të më mbiquash thjesht e thjesht “antiamerikan”? Kaq shumë është mërzitur edhe Rama, sa u mërzite kaq shumë edhe ti? Një këshillë: “mos shkruaj me nervozizëm, se të del bosh skema!” dhe një fjalë kolegu: “mos mendo se të fal më pa përgjigje!” Ke shkruar dhe je tallur mbas ferrës sa herë ke dashur. Tanimë do të kesh përgjigje. Në mënyrë të papërtueshme!
  4. Më 22 Janar unë i shkrova hapur dhe në gazetë, mikut tim, ambasadorit amerikan Arvizu, që të mos lejonte Edi Ramën, asokohe lider opozite, që të bënte një demonstratë të dytë dhe të tretë në Tiranë, mbas gjakderdhjes që ndodhi. Sepse kjo do të sillte destabilizim të Shqipërisë dhe nuk ja vlente as kolltuku i Berishës dhe as kolltuku i Ramës, gjakderdhjen e shqiptarëve. Për koincidencë për herë të dytë flitet për Ramën. Ramën “revolucionar” të 21 Janarit 2011 dhe sot Ramën e të “gjitha pushteteve” të vitit 2016! Ku qëndron kontradikta dhe “antiamerikanizmi” këtu, këtë vetëm Bushati e di!
  5. Të shkruash një letër të hapur dhe direkte, ndaj ambasadorit amerikan nga njëra anë, të “luftosh kundër një projekti amerikan” më Shqipëri nga ana tjetër, janë gjëra shumë larg njëra-tjetrës dhe vinë era intrigë. Por si i “mërzitur” dhe nervoz që je, të mirëkuptoj. Përdore edhe gurin e fundit, atë të shpifjes që të del si pështymë në këtë rast, por aspak jo, si mendim dhe si analizë. Sepse të gjithë kolegët e dinë që te vreri ti Bushat, shkëlqen, ndërsa te mendimi dhe te analiza, je shumë i konkurrueshëm. Por je i ri akoma dhe me gjitha ato rrugë Parisi që bën, ke kohë të përsosesh.
  6. Për shkrimin tim “Antiamerikanizmi i porositur” të cilin ti Andi, nga mbrapa ferrës, e keq interpreton, unë flisja për një sulm të orkestruar që ish- drejtuar ndaj ambasadorit të atëhershëm, që pati një mision të shkëlqyer në shpëtimin e Shqipërisë, nga një përplasje civile e rrugës, për të përmbysur Kryeministrin e atëhershëm me forcë. Arvizu ndaloi aventurizmin e marrjes së pushtetit me kryengritje popullore dhe na shpëtoi nga një ‘97-‘98 e re! Ndërkohë që, mbi kokën e tij, derdheshin lumë akuzat, si proberishian dhe pro qeveritar, vetëm e vetëm sepse nuk pranoi rotacionin e dhunshëm të pushteteve. Për qëndrimin e tij dhe qëndrimin tim të asaj kohe, sa më shumë kalon koha, aq më shumë e vlerësoj. Aq më tepër tani, kur shoh në veprim, se për çfarë qeverisjeje duhet të vdisnin sipas dikujt rrugëve të Tiranës, edhe disa mijëra veta. Kthjellohu shoku Andi!
  7. Ti akuzën më të madhe që më bën, e lidh me kandidimin tim në Durrës në vitin e largët 2009. Një kandidim me një partizë të kërcënuar, që ishte atëherë LSI. Një Partizë e rrezikuar të vdiste nga mbipushteti i Berishës dhe i Ramës, mbas ndryshimeve të turpshme kushtetuese të vitit 2008. Ndryshime që sot e me kohë, veç e veç, edhe Rama, edhe Berisha, i kanë cilësuar si të gabuara. Mendoja se do të kishe kujtesë për këtë.

Por nga ty, nuk pritet kujtesë pozitiviste. Në të gjithë botën që ti shëtit me shumicë, por nga sa shkruan, nuk më rezulton se e kupton po aq sa e shëtit, ka dhjetëra raste gazetarësh që angazhohen dhe kandidojnë nga shoqëria civile, si bëra edhe unë në vitin 2009. Me këtë rast të kujtoj një detaj: kryeministri yt, që kaq shumë është mërzitur sot bashkë me ty, bëri çmos, që të mos kishte në Parlament një deputet me mbiemrin Zheji.

Dhe është Parlamenti i sotshëm, produkti i largimit të vlerave të shoqërisë civile, mbushur me deputetë që fshehin vrasjet dhe blejnë me lekët e drogës, pafajësinë e tyre.

Por për këta, ti trimoshi Andi Bushati, nuk shkruan. Dhe të drejtë ke, se ata nuk të replikojnë ditën për diell si unë, por të heqin qafe. Se kemi jo pak nga ky soj deputetësh në Kuvend apo jo?!

E çdo të bëjë Reforma në Drejtësi për këta? E ke menduar? Do t’i kapë drejtësia e re deputetët me të kaluar kriminale?

Reforma e Kryeministrit me deputetët me pesë emra të kryeministrit aktual, që do të votojnë pro Vetingut? A nuk është kjo qesharake? Qesharake dhe e rrezikshme?!

  1. Ashtu si edhe nuk kujton, kur Berisha i 2011, nervoz dhe pa vetëkontroll si ti sot, të listoji si puçist të 21 Janarit dhe ti ndër qindra mbështetës, kishe edhe mbështetjen time modeste, që ky listim ishte një lajthitje.
  2. Mendoj se është proamerikanizëm të punoj për stabilitetin e vendit tim dhe të kontribuoj hapur dhe jo mbrapa ferrës, që zoti Lu, të konsultojë edhe mendimet e mia. Qofshin si qofshin ato! Por kurrsesi jo antiamerikane!
  3. Të faleminderit sidoqoftë, që më shërove dhimbjet e stomakut dhe më ule të të shkruaj. Vazhdojmë përditë po deshe, vetëm plotëso mundësisht dy kushte:
  4. Ngrije stekën.
  5. Dil nga anonimati, apo nga ferra e portalit.

Gjithmonë miqësisht

Artur Zheji

P.S: Foton time që boton shpesh me Metën, mundohu të ma shmangësh sepse është një foto e trishtuar ngushëllimi. Të dërgoj unë foto të tjera me Ilir Metën, nëse të duhen vëlla. “Koha Jone”