BERLIN – “Der Spiegel”: Shërbimi sekret gjerman spiunon Shtëpinë e Bardhë

 /ATSH-AFP/ – Shërbimet e jashtme sekrete gjermane, tashmë të përfshira në disa skandale përgjimi, kanë spiunuar për disa vite disa kompani dhe disa administrata amerikane, mes të cilave Shtëpinë e Bardhë, konfirmoi sot e përjavshmja gjermane “Der Spiegel”.

“Shërbimi Federal i Informacionit (BND), i ngarkuar me shërbimin e jashtëm sekret, ka spiunuar në vitet 1998 dhe 2006 disa numra telefoni dhe fakse të brendshme në Shtëpinë e Bardhë”, shkruan në artikullin e fundit “Der Spiegel” duke cituar dokumente me të cilat ka mundur të konsultohet.

Sipas të përjavshmes, BND disponon një listë prej 4 000 selektuesish (numra telefoni apo faksi, adresa elektronike) duke i mundësuar mbikëqyrjen e objektivave amerikane mes të cilave Ministrinë e Financave dhe Sekretariatin e Shtetit.

”Agjentët gjermanë kishin vendosur nën mbikëqyrje kompanitë amerikane si ‘Lockheed’, NASA, ojq-në ”Human Rights Watch”, disa universitetet dhe US Air Force, Marinën, Agjencinë Sekrete të Mbrojtjes në Pentagon si dhe shërmbimin sekret ushtarak”, vijon “Der Spiegel”.

“Më shumë se 100 ambasada të huaja që ndodhen në Uashingtoni, madje dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe zyra amerikane e Lidhjes Arabe janë spiunuar gjithashtu nga BND-ja”, shton e përjavshmja gjermane.