Beqir Ajazi: Dëshmia ime për torturat ndaj priftërinjve- Varja e patër Dioniz Markajt

Gjatë kohës që kam vuajtur në burg, kam pasur rastin të shoh shumë skena rrënqethëse. Por njërën do ta veçoj në mënyrë të veçantë. Eshtë fjala për torturën që ka pësuar patër Dioniz Markaj prej tetar Meçanit. Dhe më e rëndë se tortura ndaj tij, kanë qenë arsyet e asaj torture.

Kjo ngjarje ka ndodhur kështu: priftërinjtë katolikë, kur hynin e dilnin në dyert e kampit të Bedenit, kishin një sjellje krenare e mospërfillëse ndaj mundimeve të burgut. Tetar Meçanit i bënte shumë përshtypje ecja e tyre, gjithmonë pranë njëri tjetrit e, madje, edhe dorë për dorë. I keq prej natyre dhe i bërë edhe më i keq me “mësimet” e komisarëve të komunizmit, një ditë, ky bishë me fytyrë njeriu, shau ndyrë kryqin dhe Trinitetin e Shenjtë dhe i dha urdhër fratit Dioniz që të përsëriste të njëjtën fyerje ndaj atyre simboleve të shenjta për katolikët… Përpara refuzimit të prerë të fratit, tetari u nxeh shumë, u egërsua dhe u bë si i çmendur. Kështu, sa më shumë këmbëngulte tetar Meçani që prifti të shante kryqin, aq më me përbuzje e refuzonte frati Dioniz Marka. Belaja në fillim nisi si e vogël, por mandej shto ujë e shto miell, erdh e u bë një ngjarje e paharrueshme.

Tetar Meçani, atëbotë, duke parë se prestigji i tij po binte përtokë, nuk e zgjati, por e kapi dhe e lidhi patër Dionizin me tela me gjemba këmbë e duar. Më pas ai nguli një hu të madh në buzë të skarpatës së kanalit të Bedenit, dhe në të e vari patër Dionizin për këmbësh, me kokë poshtë, e cila i varej përgjatë skarpatës së kanalit. Frati i gjorë nuk nxori asnjë britmë, nuk shfaqi asnjë ankesë apo shenja dhimbjeje. Por ndërkaq tiparet e tij, duke iu fryrë me gjak, ishin shformuar, fytyra ishte buhavitur e trashur dhe dukej sikur të ishte një copë mëlçi e zezë. Pastaj filluan të rridhnin lotët, jargët, pështya e pastaj edhe sekrecione të tjera e më në fund edhe gjaku. Prej frikës e terrorit, askush nuk fliste e madje as që guxonte njeri të hidhte sytë nga ana e tij. Në këtë gjendje torturuese, frati i shkretë Dioniz qëndroi nga ora 10 e mëngjezit e deri në 4 të pasdites, kur tetar Meçani i fryu bilbilit për lënien e punës. Kampi ishte një orë rrugë larg nga vendi ku ne punonim. Të gjithë ishin nisë nëpër bazamentin e atij kanali të madh, por patër Dioniz Marka, duke qenë krejt si i vdekur, as që mund të bëhej fjalë të kthehej në kamp me këmbët e veta. Shkelmat e kepucëve të tetar Meçanit, as që i ndiente dhe as aq që mund ta bënin të shkretin të lëvizte sadopak. I tërë ky karvan i mizerjes që përbëhej prej 1200 të mjeruarish, ishte ngujuar për shkak të gjendjes së fratit.

Duke e parë punën kështu, del nga turma një malësor prej Kruje me emrin Muharrem Kasmi. Ky malësor, me një palë mustaqe si të Oso Kukës dhe me do shpatulla vigani, e përlau fretin para duarsh dhe e ngarkoi në shpinë kaliboç. Në këtë mënyrë u bë e mundur ecja e turmës, ndërsa Muharremi nuk e zbriti fratin, veçse kur e lëshoi në dyshek të vet…

***

I plandosur në pellgun e tmerrshëm të këtyre kujtimeve, përfitoj nga rasti për t’u ndërmendur artistëve shqiptarë, piktorëve, skulptorëve, poetëve etj., që të marrin shkas nga ky episod e secili, sipas rastit, të vënë në punë penën, penelin apo daltën e të bëjnë një poezi, një pikturë apo statujë mermeri ku të përkujtohen këto dhimbje të parrëfyeshme. Kjo ka vlerë që rinia e sotme dhe ajo që do të vijë, të ndiejë më artistikisht kobet që ka bërë ideologjia komuniste mbi të mjerin popull shqiptar.

Unë shpreh me këtë rast edhe protestën time ndaj artistëve shqiptarë që nuk e ndiejnë si detyrim shoqëror, t’i përjetësojnë fakte të tilla në një formë artistike, apo makar të bëhet një film dokumentar me kujtime ose diçka e tillë. Marrë nga Tema