Ben Andoni: Kosova “u fitua” prej UÇK dhe po falimenton prej UÇK-së

“Veteranët” e Kosovës janë kthyer në barrë edhe për vetë UÇK-në. Kjo, për kinse historinë, por më shumë atë që po mundohen të përvetësojnë shpirtërisht dhe materialisht pa të drejtë nga Lufta e Kosovës.

Nuk janë të largëta sot kujtimet e luftës në Kosovë ose më mirë fushatës së bombardimeve të NATO-s dhe tërheqjes së forcave serbe nga ish-Krahina Autonome e RSFJ. Por, po bëhen krejt të largët dhe të pafytyrë kinset, që u janë qepur sot zyrtarëve të UÇK-së dhe u kërkojnë vërtetime veteranësh. Më kërkoi vërtetim dikush, që na kish sjell speca me gjiz…, thoshte idhët një komandant i UÇK-së, pak ditë më parë. Disa nga kujtimet më cinike të luftës kujtojmë se kanë qenë ato të Kukësit. Ushtarë me uniformat krëk të UÇK-së që zdërhalleshin në qytet duke tymosur Marlboro dhe që detyronin edhe më të rinjtë, që sapo mbërrinin me zetorat mbushur me pleq, gra dhe fëmijë, t’i bashkoheshin me detyrim luftës dhe propaganda e kanalit të bashkatdhetarëve në Tiranë, ku luftëtarët e UÇK-së hanin në mensa pastërtore në modelin amerikan, me uniforma të hekurosura dhe rrethuar me slogane patriotike. I gjithë ky realitet surreal tashti po përjetohet si epope, ndërkohë që heronjtë e vërtetë të Kosovës ndihen shumë pak dhe s’kanë çfarë të thonë.

Teksa po afrohen 20 vitet e fundit të luftës, pseudot e kësaj lufte e kanë mbushur me mite të kontributeve të tyre atë kohë, që duket se ka qenë jataku nga ku filloi dhe justifikohet pasuria e shumë ish-komandantëve të UÇK-së me emra ekzotikë dhe që sot janë nga më të pasurit e Republikës së Kosovës. Këta të fundit duket se janë edhe më të interesuarit, ku flitet për një ushtri veteranësh prej më shumë se 46.000 vetësh! Një të tillë, që po të kish qenë vërtetë me kaq numërorë, kosovarët me patjetër do kishin pushtuar edhe vetë Beogradin dhe jo të bënin atë luftë partizane të detyruar nga makineria e egër e luftës së Federatës. Në fakt, ky s’është argument i plotë, pasi i takon historianëve ushtarakë të shkruajnë, por koha po sjell imperativ faktin që vlerat e luftës së UÇK-së kanë nevojë për shkrimin e historisë me kurajë, e më shumë ftohtësi, kurse njerëzit e vërtetë të luftës ka ardhur koha të vendosin pikat mbi ‘i”.

Një fakt i cili nuk po ndodh, përveç përcjelljes së një numri të fryrë të armatës së UÇK-së e cila po bëhet jo vetëm qesharake, por po dëmton edhe buxhetin e shtetit të varfër të Kosovës. Të 25 milion Eurot e llogaritura për ta, janë thjesht për 12 mijë veteranë, kaq sa realisht janë llogaritur deri së fundmi. Kurse vetëm në maj 2016, buxhetit i është marrë një shumë që korrespondon me numrin e 23 mijë personave (çdo individ merr 170 euro)!!  Që nëse do shtohet me mbi 42 mijë veta, që kanë kërkuar statusin e veteranëve të luftës së fundit në Kosovë, atëherë republika e re shqiptare duhet të shpallë falimentin ekonomik. Dhe, nuk mbaron këtu sepse shifra është ende më e madhe po të mendosh se në bazë të ligjit, veteran luftëtar i UÇK –së, është ai qytetar i Kosovës por edhe shtetasi i huaj, i cili si anëtar i UÇK- së, ka qenë i regjistruar në njësitë territoriale si ushtar i armatosur dhe ka qenë i uniformuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK së, duke qenë aktiv deri në përfundimin e luftës. Shto edhe faktin se këtë skemë nuk e përfiton ai individ që merr pension tjetër. Me pak fjalë, ky fakt, të bën të besosh se armata e përfituesve po e zbeh pak nga pak idealizmin për luftën e UÇK-së, ndërsa po e bën gati real skeçin e paradokohshëm të humoristëve të Kosovës.

Përfitimi i veteranëve të luftës dhe familjeve të tyre, fillon nga shërbimet mjekësore brenda dhe jashtë Kosovës, të cilat i kanë pa kompensime, por edhe punësim të privilegjuar. Një temë e ngjashme për ata që doktorojnë për fenomenin e përfituesve dhe kinseve shqiptarë të Shqipërisë. Ku shuma e përfituesve së të përndjekurve tash të tmerron me numrin që nuk mbaron dhe shtohet.

Duket se edhe në Kosovë tani ka dy kute: me ish-UÇK-në apo jashtë saj! Po zgjodhe të dytën je i humbur, ashtu si në Shqipëri njerëzit po modifikojnë turpshëm të kaluarën duke u bërë masivisht të persekutuar për të treguar diferencën me një rregjim që e ushqyen vetë dhe i thurën lavde, madje duke spiunuar dhe i bërë keq njëri-tjetrit. Dhe, ndërsa Shqipëria ka mbetur në kurthin e kinse të përndjekurve, Kosova, njësoj, është peng i shumë prej trimave të UÇK-së, që sot janë të pasur dhe nuk u hyn as gjembi në këmbë dhe që kanë tagrin të diktojnë dhe kushtetutën. Pasi për fat, ata, patriotët e vërtetë, shumë syresh janë të vdekur, por edhe nëse do të ishin të gjallë, do t’u mjaftonte vetmia e tyre sublime, jashtë kinseve të UÇK-së që po e falimentojnë vetë mitin e UÇK-së së idealistëve. (Java)