“Bëhet kurban” ditën e Kurban Bajramit, Heroi Ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu

Nga Albert Vataj

Në Sheshin Skënderbej, Tiranë, me urdhër të Myftiut është mbuluar nga një ekran i madh Monumenti i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbej.

Ajo çfarë ka ndodhur është e pagjasshme por dhe e pafalshme. Qysh prej mëngjesit të disë së sotme 1 shtator 2017 që opinioni publik është përfshirë në një betejë akuzash dhe shfrimesh trazuese. Gjithkush sipas mënyrës së vet ka shprehur indinjatën për këtë fyerje që i është bërë një prej figurave qendrore të historisë së shqiptarëve.

Është thënë e ç’nuk është thënë këto orë të nxehta shkëmbimesh urimi për Kurban Bajram, dhe sharjesh e akuzash për ata që cenuan dinjitetin tonë kombëtar duke mbuluar përmendoren e Skënderbeut në zemër të Tiranës me një qefin të zi.

Ajo që duhet thënë është se ky akt është një goditje shumë e rëndë që i jepet harmonisë së bashkëjetesës shqiptare. Me këtë gjest vandal është hedhur baltë mbi epopenë e këtij heroi, është bërë me turp gjithë ajo përpjekje titane e shqiptarëve për të ngadhënjyer mbi sundimin pesëshekullorë osman.

Një tjetër vepër kriminale që është konsumuar saora, është turqizimi i dominimit të interesave. Kjo është një vepër e pastër terroriste ndaj integritetit dhe aspiratave qytetëruese, mbi të cilat është ngritur pjedestali i lartë i krenarisë së bashkëjetesës të harmonishme fetare në Shqipëri, një model që është bërë i njohur ndërkombëtarisht si një shembull i civilizimit.

Me kwtw fshehje tw Skwnderbeut, indirekt janë përdorur besimi, festa dhe myslimanët, për të kryer kwshtu një akt barbar ndaj historisë dhe ndaj figurës së Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Kush e ka kërkuar një gjë të tillë?

Kush e ka lejuar që kjo të ndodhë?

Ata janë përgjegjësit kryesor të këtij akti të patolerueshëm. Shteti duhet të mbajë përgjegjësi për këtë vepër turpi, institucionet pjesëmarrëse në këtë “krim” duhet të distancohen, duke marrë secili pjesën e vet të fajit dhe të pendesës. Shqiptarët, pa dallim përkatësie religjioze janë cenuar në ndjenjën kombëtare, është marrë nëpër këmbë dinjiteti i tyre, është baltosur historia, janë zbritur nga froni i krenarisë ata, me të cilët mburren jo vetëm shqiptarët.