BE, takim i nivelit të lartë në Bruksel, çështjet që do të diskutohen, dalja e Britanisë dhe rigjallërimi i ekonomisë

Krerët e Bashkimit Evropian hapën sot një takim dy-ditor në Bruksel për të diskutuar një numër çështjesh, që përfshijnë daljen e planifikuar të Britanisë nga blloku dhe rigjallërimin e ekonomisë. Ata do të diskutojnë edhe mbi emigracionin dhe rinovimin e sanksioneve kundër Rusisë.

Kryeministrja britanike Theresa May pritet që në takimin dy-ditor t’u japë sigurime udhëheqësve në lidhje me të ardhmen e tre milionë shtetasve të BE-së, të cilët jetojnë aktualisht në Britani.

Kjo çështje, së bashku me të ardhmen e më shumë se 1 milion shtetasve britanikë që jetojnë në vende të BE-së, është ndër kryesoret për të cilën të dyja palët duhet të bien dakord si pjesë e negociatave të filluara këtë javë.

Pas komenteve të zonjës May, pjesa tjetër e udhëheqësve do të takohen pa pjesmarrjen e saj, për të diskutuar anën e tyre të procesit Brexit, që erdhi pas referendumit britanik një vit më parë dhe që pritet të përfundojë deri në fund të marsit 2019.

“Ky takim i Këshillit Evropian do të na lejojë të bisedojmë për një numër çështjesh që lidhen me të ardhmen e Evropës. Do të punojmë për luftën kundër terrorizmit, për çështjen e migrimit dhe të mbrojtjes. Do të diskutojmë për tregtinë dhe për luftën kundër ngrohjes globale, tema këto që i kërkojnë Evropës të japë përgjigje konkrete për sfidat e përditshme”, tha Presidenti i Francës Emmanuel Macron.

“Në Këshillin Europian do t’u paraqes krerëve të shteteve dhe qeverive përparimin që kemi bërë në çështjet e mbrojtjes. Pres nga udhëheqësit që të sjellin kontribute të mëtejshme për punën tonë, sidomos për krijimin e një bashkëpunimi të përhershëm strukturor për Mbrojtjen evropiane,” tha Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë e BE për politikën e jashtme

Në takimin e nivelit të lartë do të diskutohet gjithashtu për emigracionin, rinovimin e sanksioneve kundër Rusisë dhe përpjekjet për të luftuar ekstremizmin në Internet.