BE, kërcënime ligjore ndaj Polonisë lidhur me reformën gjyqësore

Bashkimi Evropian i përshkallëzoi masat ligjore ndaj Polonisë, ku nacionalistët në pushtet akuzohen se po minojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe për pasojë po dëmtojnë demokracinë.

Polonia, shteti më i madh ish-komunist i B.E.-së ka miratuar së fundmi një ligj që i detyron shumë anëtarë të Gjykatës së Lartë të dalin në pension. Bashkimi Evropian, grupet e të drejtave të njeriut dhe opozita në Poloni thonë se kjo bie ndesh me shtetin ligjor.

Vendimi për Gjykatën e Lartë pason një sërë masash të tjera në Poloni, të ndërmarra nga Partia për Drejtësi dhe Ligj, që kur ajo erdhi në pushtet në vitin 2015, duke ndryshuar shumë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, krerë të gjykatave rajonale dhe shtuar kontrollin mbi shtypin dhe organizatat jo-qeveritare.

Kryetarja e Gykatës së Lartë nuk i është bindur ligjit të ri dhe situata rrezikon të paralizojë gjykatën e cila bën certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Komisioni Evropian thotë se ligji polak është në kundërshtim me ligjet e BE-së, pasi ai minon pavarësinë e gjyqësorit.

Komisioni Evropian i dha sot Polonisë një muaj afat të ndryshojë ligjin, ose përndryshe çështja do t’i referohet Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.

Partia në pushtet në Poloni gëzon mbështetje të gjerë në publik, kryesisht për shkak të shpenzimeve të mëdha sociale, megjithë përlasjet e vazhdueshme me Bashkimin Evropian.

VOA