Bashkimi i të krishterëve: Kishat ta ndihmojnë njëra-tjetrën

Sekretari i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve kujton historinë 60-vjeçare të Dikasterit Papnor, duke theksuar se sfida që i pret sot të gjitha Kishat, është ta pranojnë e ta jetojnë angazhimin eukumenik të njohjes e të takimit reciprok.

R. SH. – Vatikan

Mbledhim sot, në 60- vjetorin e Këshillit Papnor për Nxitjen e Unitetit të të Krishterëve, frytet e udhës së gjatë që, në fjalët e sekretarit të Dikasterit, imzot Brian Farell, e kanë pikënisjen në hirin e Gjonit XXIII e të Koncilit II të Vatikanit; e pikën kulmore, në  Gjon Palin II e në Enciklikën e tij “Ut Unum sint”- “Që të jemi një”. Që asokohe, bota e Kishat – kujton Imzot Farell – i ndryshuan shumë marrëdhëniet e tyre, e frytet më të dukshme – shpjegon – janë takimet e prijësve dhe bashkëpunimi ndërmjet besimtarëve të bashkësive të ndryshme. Sfida e sotme është që të gjithë ta ndjejnë veten të angazhuar në kërkim të unitetit, i cili nuk kërkohet thjesht nga Papa, nga teologët apo nga ipeshkvijtë, por nga vetë Zoti. Të takohen të gjithë me të gjithë! Ky, urimi i Sekretarit në këtë 60-vjetor të Dikasterit të angazhuar, që nga qershori i vitit 1960, me këtë “shkëmbim dhuratash”, që është ekumenizmi:

“Kujtoj se 60 vjet më parë ishte ky burrë i madh, Gjoni XXIII që, me zemër të hapur për të gjithë vëllezërit e krishterë, gati-gati ia imponoi Kishës një sjellje të re: t’ua hapte portat Kishave të tjera të krishtera. E kjo hapje pati fryte të jashtëzakonshme, të cilat mund t’i shikojmë e t’i prekim të gjithë. Në atë çast marrëdhëniet ndërmjet Kishave të ndryshme  ishin të ftohta e të largëta, ndërsa tani, miqësore. Kishat e ndjejnë veten pranë njëra-tjetrës, bashkëpunojnë ngushtë në dobi të njerëzimit. E ky është edhe fryti i Hirit,  frymëzuar nga ky Papë”.

Cilat janë sfidat, që përballon Kisha në këtë dialog?

“Mendoj që është absolutisht e vërtetë se kemi përparuar shumë. Bota ka ndryshuar, por kanë ndryshuar edhe marrëdhëniet ndërmjet Kishave. Vërehet një angazhim i jashtëzakonshëm për lutje, për studim. E frytet janë të dukshme: takohen krerët e të gjitha Kishave e besimtarët tanë, në nivel lokal, bëjnë shumë gjëra së bashku me besimtarët e Kishave të tjera. Mendoj për sfidën e madhe, sipas së cilës në të gjitha Kishat, e posaçërisht në Kishën tonë katolike, të gjithë ndjehen të angazhuar në kërkim të unitetit, të cilin e do vetë Zoti. Sepse kjo nuk vetëm çështje e Papës, e ipeshkvijve, e specialistëve ose e teologëve, etj etj… Duhet që e gjithë Kisha të lëvizë drejt kishave të tjera e të gjitha kishat, drejt njëra-tjetrës. E sfida kryesore është të njihen, ta jetojnë angazhimin ekumenik për t’u njohur gjithnjë më mirë, t’ia hapin zemrën njëra-tjetrës, të bashkëpunojnë, të luten së bashku: e gjithë kjo është një sfidë e madhe!”.

Papa Françesku, kohët e fundit, përdori fjalën “padurim”, si karakteristikë e këtij dialogu. Ç’kuptim ka kjo fjalë në fushën  e dialogut ekumenik?

“Enciklika e Gjon Palit II “Ut unum sint” arriti në një çast shumë të veçantë. Pas 30 vjetësh veprimtarie me Kishat e tjera, u pa se nuk mjaftonte metoda për ta kërkuar racionalisht e teologjikisht zgjidhjen e  mosmarrëveshjeve të së kaluarës, por se duheshin nxitur të gjitha bashkësitë tona të takoheshin me njëra-tjetrën e, në këtë drejtim, Gjon Pali II, në enciklikën e tij flet për angazhimin ekumenik, parë si “shkëmbim dhuratash”, e jo vetëm idesh, e aq më shumë, për takim në jetën e përditshme. Mbi këtë bazë po ecim, duke u munduar të shikojmë çfarë kam unë, që mund të jetë dhuratë për të krishterët e tjerë, e çfarë kanë ata,  që mund të na e dhurojnë edhe ne. Tani duhet ndryshuar mendësia jonë! Nuk duhet të mendojmë kurrë se na mjafton vetvetja, e, aq më keq, se i dimë vetë të gjitha, ndaj nuk kemi nevojë të marrim mend nga të tjerët. Jemi para një sfide të madhe, pra! E mendoj se duhet bërë pikërisht kjo kthesë e madhe, që të mund të arrijmë atje, ku dëshiron vetë Zoti!”.