Basha pret misionin e vëzhguesve të OSBE-ODIHR: Votat u blenë, plaga e zgjedhjeve u thellua

Partia Demokratike nuk ka mbajtur deri tani një qëndrim nëse ajo e pranon apo jo rezultatin e zgjedhjeve, por kreu i opozitës Lulzim Basha i tha misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it të njëjtën gjë që ai artikuloi ditën kur numërimi u mbyll, se zgjedhjet e 25 qershorit ishin triumf i paligjshmërisë.

Problemi kryesor i këtyre zgjedhjeve, sipas Lulzim Bashës është blerja masive e votave, me organizim sistematik partiak dhe qeveritar në të gjithë vendin, të mbështetur nga  bandat kriminale.

Basha i tha misionit vëzhgues se bandat kanë vepruar pa asnjë pengesë dhe në disa raste me ndihmën e strukturave shtetërore, duke përdorur në zgjedhje për shit-blerjen e votave paratë e nxjerra nga kultivimi dhe trafikimi i kanabisit.

Sipas njoftimit zyrtar nga selia blu, Edmond Spaho dhe Oerd Bylykbashi, që drejtuan përkatësisht Elbasanin dhe Durrësin, kanë treguar në takim raste konkrete të shit-blerjes së votës dhe hapat ligjorë të ndërmarrë, por që sipas tyre nuk sollën asnjë rezultat sepse në një rast policia nuk ndërmori asnjë veprim, ndërsa në tjetrin banditët e detyruan qytetarin të terhiqej nga dëshmia.

Kreu i opozitës vuri në dukje se një qëndrim realist i OSBE/ODIHR-it mbi problemet e rënda të procesit zgjedhor do ta ndihmonte shoqërinë shqiptare për të dalë nga ky stad i avancuar i zëvendësimit të demokracisë me një regjim që për të tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve mbështetet tek krimi, droga dhe korrupsioni galopant.

Lulzim Basha tha se këto nuk ishin zgjedhje demokratike, por prova e fundit e vdekjes klinike të zgjedhjeve të lira në Shqipëri. Dhe mesa duket, ky do të jetë një nga tezat e tij në fushatën për rizgjedhjen në krye të Partisë Demokratike. Një fushatë që do të nisë të enjten nga Lezha dhe ku Basha dhe Eduard Selami do të jenë veç e veç para demokratëve.

/ Top Channel