Basha nga Korça: Burg për këdo që prek votën, sot janë shkarkuar 12 zyrtarë që kanë shkelur ligjin

Gjatë hapjes së fushatës elektorale në qytetin e Korçës, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se kushdo që prek votën e lirë të qytetarëve do e presë ndëshkimi i ligjit.

 “Një vendim i madh u mor në Tiranë dhe Korça solli mendjen e vet për Republikën e Re. Bashkë me ju hodhëm themelet e kësaj republike në 90 ditë. Vetëm ditën e sotme janë shkarkuar 12 zyrtarë që kanë shkelur ligjin dhe shumë prej tyre do shkojnë për ndjekje penale. Kushdo që guxon të prekë votën e shqiptarëve e pret ligji i Republikës së Re. Kjo është arritja juaj ndaj denonconi çdo përpjekje për tju prekur votën”– tha Basha.
 Ndër të tjera Basha tha se Ramës nuk i interesojnë qytetarët, por shkon në Korçë për qejfet e tij. Ai u shpreh se Niko Peleshi ka bërë një pedonale dhe një kullë në qytet që t’i bëjë qejfin Edi Ramës.
 “Rama e trajtoi biznesin e vogël si një lopë për t’u mjelë. Edi Ramës i pëlqen të vijë këtu për fundjava dhe kur vjen ka hotelet e tij të preferuara, ka verat e tij të preferuara. Për t’i bërë qejfin Nikua i bëri edhe një pedonale dhe një kullë. Kush e pagoi kullën? Miliona euro për qejfet dhe tekat e Ramës”-tha Basha.