Basha nga Amfiteatri i Durrësit: PD, i vetmi koalicion që mund t’i kthejë dinjitetin e humbur vendit

TIRANË, 23 Qershor/ATSH/-. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zgjedhur një vend të veçantë për të mbyllur fushatën elektorale në Durrës.

Basha ka zgjedhur Amfiteatrin antik të Durrësit, nga ku deklaroi se “beteja jonë të dielën për të nderuar historinë e Shqiptarëve është pikërisht kutia e votimit, ku shqiptarët duhet të zgjedhin për veten e tyre dhe të ardhmen e vendit tonë”.

“Jemi në një amfiteatër ku është jetësuar historia e flamurit tonë kombëtarë, tashmë jemi në një betejë tjetër, atë të rikthimit të dinjitetit për flamurin tonë kombëtarë”, tha Basha. Sipas tij, në vendin tonë luftohet me çmimet më të larta në Ballkan, ndërkohë që rroga mesatare është më e ulëta në Ballkan.

“Fshati shqiptar ka humbur shpresën. Fermeri nuk ka të ardhur. Studentët nuk kanë të nesërme. Oligarkët kanë në dorë fatin e gjithkujt, por ne, Durrësi dhe e gjithë Shqipëria do të reagojë ndaj kësaj dhe do të çlirojë Durrësin nga bandat e Gjushit (Vangjush Dako) dhe Shqipërinë nga bandat e Ramës”, tha Basha.

Kreu i PD tha se i vetmi koalicion që mund t’i kthejë dinjitetin e humbur vendit është Partia Demokratike, Republika e Re.

“Ky është një bashkim i madh kundër njeriut që premtoi dhe nuk i mbajti premtimet, që ka prioritet e gabuara dhe për këto vite. Prej 4 vitesh askush nuk kujtohet për pensionistët. Pas  4 vitesh, ai flet tani sikur nuk ishte ai kryeministri, sikur s’i ka ai fajet. Frigoriferët e shqiptarëve janë bosh, xhepat e shqiptarëve janë bosh. Koha për Ramën ka ikur, ndëshkojeni me votë. Duhet t’i kthejmë dinjitetin vendit, të favorizojmë ekonominë, bujqësinë. Vetëm një koalicion mund ta bëjë këtë, Partia Demokratike, Republika e Re,” tha Basha.

Arbi Fortuzi