Barcelonë, gjendet një dokument i ISIS-it në shtëpinë e terroristëve

Katër persona të dyshuar si anëtarë të celulës terroriste që vrau 15 persona në sulmet në Spanjë, janë paraqitur në Gjykatën e Madridit dhe ata akuzohen për vrasje dhe terrorizëm. Por vetëm për tre prej tyre është dhënë masa e arrestit me burg, pasi një tjetër i dyshuar është liruar për prova të pamjaftueshme.

Gjykatësi Fernando Andreu ka shpjeguar se ka prova të mjaftueshme për të mbajtur në burg, Mohamed Houli Chemal, 21 vjeç. Driss Oukabir 28, me akuzën se kanë shkaktuar vdekjen dhe plagosjen me natyrë terroriste, si dhe pjesëmarrjen e tyre në një organizatë terroriste.

Ndërkohë shtypi spanjoll shkruan se në shtëpinë e terroristëve në Alcanar në Barcelonë, e cila shpërtheu një ditë para sulmit, është gjetur një dokument i Shtetit Islamik dhe një biletë avioni për në Bruksel të Belgjikës.

Policia ka deklaruar po ashtu se në apartament janë gjetur 120 bombola me gaz dhe gjurmë eksplozivi Tatp. Terroristët kishin blerë edhe thika që i përdorën në sulmin e dytë pak minuta para se të vepronin në Cambrils.