Banka e Shqipërisë: Shkaqet se përse u forcua leku në raport me valutat e huaja!

Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të politikës monetare ka bërë një analizë të faktorëve që kanë ndikuar në forcimin e monedhës vendase në 2018-n. Sipas rezultateve të analizës së Bankës, në optikën afatmesme e afatgjatë, forcimi i kursit të këmbimit është në përputhje me teorinë ekonomike dhe faktorët makroekonomikë.

Kështu, trendi forcues i kursit të këmbimit pasqyron përmirësimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë dhe rritjen e interesit për të investuar në instrumente kursimi në lekë në tregun e brendshëm financiar.

Sipas analizës, leku ka shfaqur një trend të qartë forcimi kundrejt euros në tregun e brendshëm financiar, duke nisur nga fundi i vitit 2015. ky forcim ishte relativisht i ngadaltë deri në vitin 2017, por ai u përshpejtua ndjeshëm gjatë vitit 2018.

Forcimi i kursit të këmbimit ka qenë në fokus të analizave të Bankës së Shqipërisë, të cilat kanë synuar në vazhdimësi të identifikojnë faktorët e forcimit, duke dalluar midis faktorëve fondamentalë të cilët sjellin lëvizjen e kursit në nivele të reja ekuilibri, dhe faktorëve specifikë e afatshkurtër të tregut valutor, të cilët sjellin shmangien e kursit nga këto nivele ekuilibër. një identifikim i tillë mundëson më tej vlerësimin e ndikimit të forcimit të kursit në ekonomi dhe inflacion dhe, mbi bazën e tyre, në formulimin e reagimit të Bankës së Shqipërisë.

Përmirësimi i pozicionit të jashtëm të ekonomisë ilustrohet nga:

− ngushtimi i qëndrueshëm dhe i vazhdueshëm i bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë, kryesisht në reflektim të zgjerimit të shpejtë të eksporteve shqiptare;

− hyrja e lartë e valutës në vend, kryesisht në formën e investimeve të huaja direkte, por edhe në formën e remitancave

Po ashtu, normat e ulëta të interesit të valutës kanë rritur interesin për të kursyer në lekë, qoftë në formën e depozitave apo në atë të letrave me vlerë të qeverisë.

Në përputhje me regjimin e lirë të kursit të këmbimit që aplikohet në vendin tonë, rritja strukturore e ofertës së valutës ka përcaktuar trendin forcues të monedhës vendase. Modelet e analizës dhe parashikimit të kursit të këmbimit tregojnë se ecuria e kursit të këmbimit gjatë viteve 2015-2017 nuk ka pasur shmangie të mëdha nga nivelet e sugjeruara nga faktorët makroekonomikë.

Pse ra euro në 2018-n

Në optikën afatshkurtër, forcimi i kursit të këmbimit gjatë vitit 2018 ishte më i fortë se ritmi i përmirësimit të faktorëve të lartpërmendur. në vlerësimin tonë, forcimi i kursit pasqyroi zhvillime specifike të tregut të brendshëm valutor, të lidhura me konvertimin e kapitalit në disa banka të sistemit, me disbursimin dhe konvertimin e një kredie të madhe të BeRzh-it, si dhe me krijimin e pritjeve për forcimin e mëtejshëm të lekut. këto pritje u shoqëruan me ndryshimin e sjelljes së operatorëve ekonomikë, duke sjellë një zhbalancim të lartë, por të përkohshëm, të kërkesës dhe ofertës për valutë. faktorët e mësipërm sollën një forcim të shpejtë të kursit të këmbimit gjatë vitit 2018, dhe shmangien e tij nga nivelet e sugjeruara nga faktorët makroekonomikë.

Në mungesë të ndryshimeve fondamentale në ekonomi, këto shmangie të kursit reduktojnë intensitetin e presioneve inflacioniste dhe sjellin implikime për qëndrimin e politikës monetare. Kanalet e përcjelljes së luhatjeve të kursit në ekonomi janë pjesë normale e modeleve të parashikimit të Bankës së Shqipërisë, vijon analiza.

Këto parashikime treguan se vijimi i mbiçmimit të kursit të këmbimit me ritme të përshpejtuara do të rrezikonte arritjen e objektivit të inflacionit në afatin e mesëm. Si i tillë, ai bëri të nevojshëm reagimin e Bankës së Shqipërisë.

Ky reagim erdhi në formën e uljes së normës bazë të interesit në muajin qershor dhe në formën e ndërhyrjeve të jashtëzakonshme, por të përkohshme, në tregun e brendshëm valutor. ai arriti të stabilizojë ecurinë e kursit të këmbimit dhe të krijojë premisat për funksionimin normal të këtij tregu. Vlerësimet aktuale sugjerojnë se rreziqet e kursit mbi objektivin e inflacionit kanë ardhur në reduktim.(monitor)

/a.meta