Aventura shqiptare e 30 ushtarakeve amerikane ne vitin 1943

Nga Skënder Malindi

Historia e panjohur e ushtarakëve amerikanë që ishin nisur me një mision nga Palermo e Italisë dhe avioni i tyre u rrëzua ne malet e Shqipërisë.  Pritja bujare e partizanëve shqiptarë dhe rikthimi i tyre ne Itali.

Italia e Mbretit Viktor Emanueli i III-të, si pasojë e rezultateve që mori në të gjitha frontet e luftës, sidomos nga zbarkimi i trupave  anglo-amerikanëve në Sicili, e detyroi atë që me 25 korrik  1943, të shkarkojë dhe të arrestojë Benito Musolinin  dhe me 8 shtator të kapitullojë përfundimisht.  Me të marë lajmin e kapitullimit të Italisë , partizanë të Skraparit dhe partizanë të tjerë, me 10 nëntor me vrap hynë në Berat, çarmatosën ushtrinë Italiane dhe morën nën kontroll depot dhe materialet e ndryshme të kësaj  ushtrie. Partizanët morën këto materiale: mijëra pushkë, mjaft mitralozë të lehtë e pistoleta, 90 mitralozë të rëndë,  12 topa, 800 palë çizme, 20 kamiona, 20.000 kuti marmalatë e qumësht, 40 kg fasule, sasi të mëdha mielli, sheqeri  dhe veshmbathje.  Në atë kohë me shpejtësi të madhe mbërritën  në vendin tonë dhe trupat gjermane, të cilat okupojnë Kuçovën, puset e vajgurit dhe aerodromin e filluan menjëherë fortifikimin  e tyre rreth e rrotull  me qendra zjarri dhe me autoblinda. Si duket, ata nuk patën asnjë interes të veçantë për Beratin dhe nuk e okupuan atë, duke qëndruar vetëm në Kuçovë. Berati u gjallërua shumë me hyrjen e partizanëve, kudo shihej ndjenja e lirisë dhe qytetarë që shiheshin kudo  të gëzuar dhe të entuziazmuar.  Me 1 nëntor  1943 në Berat erdhi dhe Brigada e Parë, e cila qëndroi 5 ditë bashkë me neve dhe gjatë atyre ditëve gëzimi arriti kulmin.

Rrëzimi i avionit amerikan

Rreth dates 10 nëntor, një avion amerikan i cili u pa duke fluturuar mbi qiellin e Kucovës,  goditet nga artilieria kundra-ajrore gjermane dhe detyrohet të ulet në arat e fshatit Dëshiraj, në krahun e djathtë të lumit Devoll afër Kucovës.  Partizanët që ndodheshin aty afer  shkuan me vrap ne vendin e uljes së avionit dhe morën gjithë personelin që ishte në avion,  të cilët nuk kishin pësuar asnjë lëndim gjatë uljes. Gjermanët mbërritën më vonë aty pasi lumi Devoll ishte fryrë nga shirat  dhe ishte e vështirë për tu kaluar. Partizanët i tërhoqën me të shpejtë gjithë amerikanët që ishin, 30 vetë, 15 djem e 15  vajza dhe duke kaluar fshat më fshat dolën në Berat, ku u pritën me shumë dashuri  nga populli i këtij qyteti.  Ata u morën nën kujdesin e partizanëve të Batalionit të Rinisë  “Margarita Tutulani”  dhe u vendosën për të pushuar  në një vend  pranë gazermave të Uznovës,  ku ishte vendosur dhe vetë batalioni.  Gjatë gjithë kohës që qëndruam bashkë , amerikanët nuk i kuptuam dot përse fluturuan mbi qiellin tonë dhe për ç’farë misioni kishin ardhur,  mbasi nuk dinim gjuhën e njëri-tjetrit.  Kjo mbeti për neve një gjë e pakuptueshme dhe të vërteten nuk e morëm vesh kurrë në atë kohë.  Me 15 nëntor 1943, pa gdhirë ende,  forcat gjermane nga Otllaku dhe Kucova, në befasi sulmuan Beratin, duke përdorur kryesisht trupat e motorizuara, autoblinda, tanke dhe artilieri, të mbështetura fuqimisht nga avioni ” Stukos “.  Luftime të ashpra u zhvilluan nga partizanët e batalionit Italian “Antonio Gramshi” dhe nga partizanët e batalionit të rinisë “Margarita Tutulani”,  të cilët pësuan mjaft humbje.  Nga batalioni i rinisë u vranë partizanët:  Irfan Shehu,  Arif Myftari  dhe Zoi Mitrushi, si dhe mjaft partizanë të batalionit  “Antonio Gramshi”. Forcat tona u tërhoqën nga qyteti i  Beratit në drejtim të fshatrave të Skraparit. Bashkë me partizanët u tërhoqën dhe amerikanët për mos tu zënë rob.  Gjermanët vazhduan me sulm të fuqishëm deri në Vertop , mbasi më tutje drejtë Skraparit nuk kishte rrugë automobilistike. Shtabi i qarkut të Beratit dhe amerikanët,  pasi kaluan Vërtopin u futën në një pyll në fund të fshatit Lubesh, por këtu u rrethuan nga forcat balliste, të cilët kërkonin dorëzimin e tyre.  Partizanët e batalionit të rinisë ‘Margarita Tutulani”  shkuan menjëherë në ndihmë të tyre, i sulmuan ballistët dhe nxorën nga rrethimi shtabin e qarkut dhe amerikanët.  Amerikanët të shoqëruar me partizanë, u nisën në drejtim të  fshatrave te Skraparit,  ku ata morën kontakt me oficerët anglezë  që ishin pranë shtabit tonë, si ndërlidhës me qeverinë angleze.  Oficerët anglezë,  për çfarë u kishte ndodhur amerikanëve,  informuan Komandën Ushtarake të Mesdheut që ndodhej në Itali dhe morën udhëzime prej andej që t’i nisin ata drejt bregdetit në rajonin Dhërmi-Karaburun, ku do vinte një anije luftarake angleze për t’i çuar në Itali.  Pasi morën udhëzimet nga oficerët anglezë,  amerikanët filluan lëvizjen duke ecur nëpër fshatrat e Skraparit, kaluan në Përmet, Zagori ,  mali  Çajupit,  nëpër fshatrat e Gjirokastrës, për të mbërritur në fshatin Pilur të Himarës dhe prej andej në bregdet,  ku do të takoheshin me një oficer amerikan , i cili do të do vinte apostafat nëpërmjet detit dhe do i priste atje për t’i çuar në Itali.

Infermierja amerikane në Shqipëri në 1995-ën

Pas shëmbjes së regjimit komunist, kur presidenti Sali Berisha në vitin 1995 shkoi për vizitë miqësore në SHBA, e cila u transmetua nga televizioni dhe shtypi amerikan, një nga ato vajzat e atëhershme, por që tani ishte plakur, me të dëgjuar lajmin shkon dhe takon presidentin Berisha dhe i tregon atij të gjitha peripecite që kishte vuajtur gjatë luftës në  Shqipëri.  Presidenti Berisha e fton atë të vizitojë  Shqipërinë, dhe ajo bashkë me vajzën e saj erdhi në vendin tonë , duke u kujdesur për të Ministria e Mbrojtjes . Ministria kishte informata, që unë kisha patur kontakt  me këta amerikanë në kohën e luftës, prandaj  më rekomandoi që të shkoja dhe të takoja këtë amerikane që ishte vendosur në hotel “Ballkan”, diku  pranë liqenit artificial . Shkova e takova ate, e cila më priti me përzemërsi  dhe biseduam  bashkë  gjerë e gjatë  duke kujtuar atë kohë.  Ajo më tregoi çfarë mbante mend  më shumë si për rrëzimin e avionit, për pritjen në Berat, si shpëtuan nga gjermanët dhe për marshimin e gjatë deri sa mbërritën në Itali.  Midis të tjerash ajo më tha: “Kur  hymë në Berat, na priti një komandant, djalë i ri hipur në një kalë të bukur” . Dhe ashtu ishte vërtete, unë kisha hipur në një kalë të bukur, të cilin e kisha  marrë nga Regjimenti i Kavalerisë, që kishim çarmatosur në Berat.  Ngaqë  nuk dija asgjë për ta dhe isha kurioz të dija të vërtetën, e pyeta: “Përse erdhën  mbi  qiellin  tonë dhe çfarë misioni kishin.  Ajo më shpjegoi se ato djem dhe ato vajza në atë kohë ishin infermierë dhe punonin në spitalin ushtarak amerikan në Palermo të Sicilisë, ku mjekonin  ushtarët e plagosur. Por nga luftimet e ashpra në Italinë qendrore  me gjermanët, kishte pasur shumë të plagosur  të tjerë që ishin shtruar në spitalin ushtarak të  Barit.  Meqenëse spitali ushtarak i Barit nuk i përballonte dot mjekimet e shumta, kërkoi ndihmë nga spitali ushtarak  i Palermos.  Për këtë qëllim ata morën 15 djem e 15 vajza  infermierë me avion nga Palermo për të shkuar në Bari . Gjatë fluturimit,  kur avioni me të cilin ata udhëtonin hyri në rajonin e Pulias,  gjithë vendi ishte mbuluar me re të dendura  dhe asgjë nuk shihej poshtë, madje as deti Adriatik nuk mund të dallohej,  pilotët  duke kërkuar vend ku  të  uleshin, pa dashur fluturuan mbi qiellin  e Shqipërisë  në Kuçovë,  ku u goditën nga artilerija  kundra-ajrore gjermane dhe u detyruan të uleshini.  Amerikania  me të bijën, të ndihmuar nga Ministria e Mbrojtjes, shkuan në disa vende  ku kishin qënë në kohën e luftës;  si në Berat, Dhermi e gjetkë,  ku u pritën me përzemërsi  dhe bënë shumë fotografi.  Mbas qëndrimit 10 ditor në vendin tonë, u larguan nga Shqipëria me pershtypjet më të mira.  Ish infermieria, kur u kthye në SHBA,  lajmëroi ish kapitenin zbulues amerikan që i kishte shoqëruar ata për t’u kthyer nga Shqipëria në Itali në kohën e luftës,  për vizitën që kishte bërë në Shqipëri dhe për pritjen shumë miqësore që i kishin ofruar shqiptarët .

Rrëfimi i ish-kolonelit amerikan në Shqipëri

Ish kapiteni i zbulimit që tani ishte kolonel, kërkoi që edhe ai të vizitoi Shqipërinë. Kërkesa e tij u pranua dhe ai u ftua për të ardhur në vendin tonë. Edhe me kolonelin amerikan u takova dhe bëra një bisedë te gjate me të.  Ai më tregonte si kishte marrë urdhër nga Komanda Ushtarake e Mesdheut që të vinte në Shqipëri, për të tërhequr amerikanët që ishin rrëzuar me avion dhe t’i dërgonte në Itali .  “Për të zbatuar këtë detyrë” – tha ai  – “u nisa me disa ushtarë si masë mbrojtjeje dhe me disa  radista  për tu lidhur  me oficerët anglezë që ishin pranë  shtabit tonë  dhe me Komandën Ushtarake të Mesdheu. Me një anije luftarake angleze lundruam në Detin Jon dhe pa u diktuar  natën zbritëm në fshatin Dhërmi, ku bujtëm  në shtëpinë e një fshatari,  i cili na priti në mënyrë shumë miqësore.  Në dhomën ku po qëndronim i tregova për misionin tonë dhe kërkova ndihmën e tij. Ai u tregua shumë i gatshëm që të më ndihmonte për çdo gjë  që kisha nevojë. Në murin e dhomës së kësaj shtëpie,  pashë varur një pushkë  që nuk e kisha parë më parë. U bëra kurioz dhe e mora në dorë pushkën për ta parë me hollësi, e cila ishte e markës “Maliher”.  Duke e lëvizur nëpër duar, padashur shkela këmbëzën dhe pushka shkrepi duke hapur një vrimë në tavan, i cili ishte prej dërrase. I zoti i shtëpisë nuk u shqetësua dhe nuk u merakos për vrimën në tavan. Të shoqëruar nga i zoti i shtëpisë, u nisëm në drejtim të Pilurit, ku rrugës u takuam me amerikanët që vinin drejt nesh. Mbasi u përshëndetën me ta,  u nisëm për në rajonin e Karaburunit  ku do të mbërrinte anija luftarake angleze për të na marrë  në bashin e saj . Çdo gjë kaloi pa shqetësim deri në Itali” . Koloneli kërkoi që ai të shkonte në vendet ku kishte qenë në kohën e  luftës. Ministria e Mbrojtjes ia plotësoi kërkesën dhe ai shkoi edhe në shtëpinë ku kishte qenë dikur, në Dhërmi.  Kur u fut në dhomën e kësaj shtëpi , vështroi menjëherë lart tavanin  dhe pa që vrima e plumbit ishte akoma ajo që kishte shpuar plumbi i tij në 1943 dhe mbeti  i habitur.  Një kujtimi i paharruar dhe i mrekullueshëm ishte ky fakt për kolonelin  amerikan.  Kolonelit iu bë një pritje shumë miqësore  dhe ai u largua nga Shqipëria shumë i kënaqur dhe me kujtime mbresëlënëse. Ja ky ishte i gjithë tregimi i kësaj ndodhie  që të duket si diçka e pabesueshme, por që është e vërtetë .