Autoritetet më të larta shtetërore e politike shqiptare dënojnë vrasjen e politikanit lokal serb në Kosovë

Në Shqipëri autoritetet më të larta shtetërore e politike të vendit dënuan sot ashpër vrasjen në Kosovë të politikanit lokal serb Oliver Ivanoviç, duke theksuar se ngjarja nuk duhet të ndikojë në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

Presidenti Ilir Meta foli për një akt kriminal, për të cilin ai tha se ka besim se autoritetet do ta zbardhin sa më parë. Ai bëri thirrje “për vlerësimin e situatës me qetësi e maturi dhe që ky akt kriminal të mos ndikojë në procesin e rëndësishëm të dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, proces i cili është shumë i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të të dy vendeve dhe për stabilitetin, paqen dhe sigurinë e rajonit”, theksoi presidenti shqiptar.

Përmes një postimi në Facebook, kryeministri Edi Rama shprehu “keqardhje të thellë për tragjedinë e Oliver Ivanoviçit”, që sipas tij është “një akt qëllimkeq që nxit urrejtje e tension”. Edhe zoti Rama thekson se “përpjekjet për dialogun e paqen s’duhen ndalur” dhe se madje ato “duhen thelluar”.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e cilësoi vrasjen “një akt të pastër kriminal”, i cili sipas tij “përveçse një atentat ndaj jetës, synon të jetë një atentat ndaj proçeseve të bashkëjetesës e të dialogut në Kosovë. Trajtimi i ngjarjeve të tilla – nënvizoi në deklaratën e tij zoti Basha – kërkon maturi dhe largpamësi nga çdo aktor i përfshirë në dialogun dhe proçesin e paqëtimit në Kosovë”.