Autopsia zbardh shkakun- Hipertermia malinje është shkak i vdekjes së 16 vjeçares Blerta Pepa

Hipertermia malinje është shkak i vdekjes së 16 vjeçares Blerta Pepa gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale në gju. Këto janë të dhënat e para nga mjekësia ligjore të cilat bëjnë të ditur për Ora News se bluzat e bardha kanë respektuar të gjitha protokollet mjekësore, por mbijetesa pas këtij komplikacioni ishte e pamundur. Dy mjekët e huaj dhe anesteziti janë proceduar penalisht për mjekim të pakujdeshëm, ndërsa ministria e shëndetësisë ka ngritur grupin e punës për ndjekjen e rastit.

Burime nga mjekësia ligjore bëjnë të ditur nga Ora News se Hipertermia malinje është shkaku që 16 vjeçarja ka ndërruar jetë në sallën e operacionit në një spital privat në Tiranë një orë pas mesnatës së 15 majit 2017.

Çfarë është hipertermia malinje që shkaktoi vdekjen e 16 vjeçares Blerta Pepa? Kryetari i Shoqatës së Anestezistëve, Tritan Shehu, shpjegon për Ora News komplikacionin e rrallë dhe mënyrën se si është ndjekur rasti në këtë spital. Sipas tij, adoleshentes i janë injektuar 3 flakonë kundërveprues dantrolen por hipertermia ka qenë agresive dhe fatale.

Anestezisti dhe drejtuesi i Shoqatës së Anestezisë-Reanimacionit, Tritan Shehu, sqaroi për Ora News se çfarë është hipertermia malinje dhe rastet kur shkaktohen komplikacione.

Shehu: Mortaliteti është shumë i lartë. Kjo patologji lind si pasojë e një reaksioni në muskul nga bashkimi i dy substancave muskulare që i jep temperature shumë të larta trupit, 42,43, 44, që krijojnë shkatërrimin e sistemit nervor qëndror të organizmit.

Por a mund të bëhen analiza të posaçme për të shmangur një rast të tillë fatal?

Shehu: Kërkon laboratore shumë të specializuar dhe nuk përdoret në asnjë vend të botës para operacioneve sepse edhe kjo është një ndërhyrje, do të marrësh një copë muskul dhe ka një procedurë të vështirë që të diagnostikohet, por përdoret vetëm në ato raste në vendet e zhvilluara ku ka një të dhënë që i sëmuri mund të bëjë hipertermi malinje.

Shehu thotë se Blertës i ishin injektuar 3 flakonë dantrolen për të kundërvepruar ndaj komplikacionit por hipertermia ka qenë agresive.

Shehu: Me gjithë medikamentet që kanë vite që përdoren siç është dantroleni dhe që u përdor dhe në këtë rast, me gjithë këto mortaliteti është shumë i lartë.

Me mjekun anestezist, Tefik Zhurda, janë solidarizuar bluzat e bardha, teksa vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Shehu: Një mjek shumë i kualifikuar, me reputacion, duke u ndodhur në një shok psikologjik pas asaj që shkoi bëri pastaj një akt ekstrem, tentativë për vetëvrasje. Sot në mëngjes isha në spital dhe e pashë përsëri, gjendja është mjaft serioze, mjaft kritike.

Mjeku anestezist tentoi vetëvrasjen duke injektuar preparat lënde anestezie dhe qetësues të tjerë të fortë pas operacionit që iu nënshtrua adoleshentja.

Çështja vijon të jetë në hetim, por burimet në lidhje me rezultatet e para të autopësisë bëjnë me dije se në këtë rast është respektuar i gjithë protokolli mjekësor përpara dhe gjatë interventit, por komplikacioni nga hipertermia malinje ka qënë i rëndë.

Gjithashtu nga autopsia rezulton se edhe injektimi i dantrolenit kundër komplikacioneve është kryer nga mjeku anestezist por edhe në këtë rast, Blerta Pepa nuk ka mundur të mbijetojë. Por materetialet ende nuk i kanë kaluar prokurisë së Tiranës.

Policia i ka referuar materialet prokurorisë së Tiranës për tre mjekë të spitalit privat në Tiranë, ku humbi jetën 16 vjeçarja Blerta Pepa.

Në procedim penal janë dy mjekët dhe anestezisti Tefik Zhurda. Mjekët akuzohen nga familja Pepa për mjekim të pakujdesshëm me pasojë vdekjen e 16 vjeçares.

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë shpreh ngushëllimet për familjen thotë se po ndjek nga afër ecurinë e gjendjes shëndetësore të mjekut reanimator, i cili po lufton me vdekjen në këto orë të vështira në Spitalin Universitar të Traumës. Ministria e Shëndetësisë ka ngritur grupin e punës për ndjekjen e këtij rasti dhe garanton se do të marrë masat e duhura për këtë ngjarje të rëndë.