Audienca e Papës me Erdoganin mbi Jeruzalemin, të drejtat e njeriut dhe emigrantët

Respektimi i të drejtave të njeriut dhe i ligjshmërisë ndërkombëtare, paqja në Lindjen e Mesme dhe statusi i Jeruzalemit, mikpritja e migrantëve dhe kushtet e katolikëve në Turqi : këto janë temat kryesore të takimit së Papës Françesku me presidentin e Republikës turke,  Recep Tayyp Erdogan, i cili u prit në audiencë në Vatikan.

Të respektohet ligji ndërkombëtar

Gjatë bisedës, Ati i Shenjtë dhe presidenti i Turqisë, njofton Salla e Shtypit e Vatikanit, “u ndalën mbi gjendjen në Lindjen e Mesme, veçanërisht mbi statusin e Jeruzalemit, duke vënë në dukje nevojën e promovimit të paqes dhe të qëndrueshmërisë në rajon, përmes dialogut dhe negociatave, në respektin për të drejtat e njeriut dhe për ligjshmërinë ndërkombëtare”.

Në bisedime, edhe marrëdhëniet Vatikan-Turqi dhe gjendja e bashkësisë katolike

Gjatë atyre, që nota vatikanase i quan “bisedime të përzemërta”, u përmendën “marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Turqisë, si edhe u fol për gjendjen në vend, për kushtet e bashkësisë katolike, për impenjimin në mikpritjen e refugjatëve të shumtë dhe për sfidat e lidhura me të”.

Pas audiencës me Papën Françesku, presidenti Erdogan bisedoi edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin dhe me atë për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher.

http://sq.radiovaticana.va/news/2018/02/05/audienca_e_papës_me_erdoganin_mbi_jeruzalemin,_të_drejtat/1361864