Atë Justin Rrota, në përvjetorin e vdekjes së dijetarit të shquar të kulturës shqiptare dhe i letrave shqipe

Françeskanin Atë Justin Rrota qe personalitet e dijetar i shquar i kulturës shqiptare dhe i letrave shqipe. Veprimtaria e tij shkencore rrok një periudhë gati gjysmëshekullore, duke kryer detyrën si klerik françeskan, si një shkencëtar i mirëfilltë dhe mësues i gjuhës amtare. Pra qe studiues e lëvrues i shquar i gjuhës dhe i studimeve shqiptare.

R.SH. – Vatikan

Më 20 dhjetor kujtojmë françeskanin shqiptar Atë Justin Rrota, në përvjetorin e vdekjes. Atë Justin Rrota qe personalitet e dijetar i shquar i kulturës shqiptare dhe i letrave shqipe.Veprimtaria e tij shkencore rrok një periudhë gati gjysmëshekullore, duke kryer detyrën si klerik françeskan, si një shkencëtar i mirëfilltë dhe mësues i gjuhës amtare. Pra qe studiues e lëvrues i shquar i gjuhës dhe i studimeve shqiptare.

Atë Justin Rrota lindi më 17 shkurt 1889 në Shkodër. Mësimet e para i mori në Shkodër, kurse ato teologjike në Klagenfurt të Austrisë. Atë Justin Rrota ishte një ndër françeskanët më të shquar shqiptarë. Kontributi i tij ishte i madh për studimin e gramatikës shqipe e të historiografisë tonë letrare. Atë Justin Rrota ishte i pari që më 1929 solli në Shqipëri tri kopje të fotografuara të Mesharit të dom Gjon Buzukut të vitit 1555 nga e vetmja kopje që ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit.

Atë Justin Rrota qe profesor në Troshan dhe pas vitit 1921 në gjimnazin “Illyricum” në Shkodër. Por meshtari françeskan-profesor u shqua edhe si mësimdhënës i aftë, studiues i paepur duke botuar artikuj dhe studime shkencore me pseudonimet Iris, Patër Ndou dhe Viator. Fillimisht shkrimet e para Rrota i botoi në revistat “Zani i Shna Ndout” dhe “Hylli i Dritës”, të cilat u përkasin disiplinave të gjuhësisë dhe të letërsisë. Është ndër botuesit e parë të teksteve për shkollat e mesme. Në vitin 1940, Instituti i Studimeve Shqiptare në Tiranë e zgjedh anëtar të tij në cilësinë e lëvruesit të gjuhës.

Kontributi i Atë Justinit ishte i shumanshëm, posaçërisht për studimin e gramatikës shqipe, të sintaksës, morfologjisë, të historiografisë sonë letrare, e në veçanti për njohjen dhe studimin e autorëve tanë të vjetër, si për Buzukun, Matrangen etj. Siç thamë ai qe i pari që më 1929 solli në Shqipëri tri kopje të fotografuara të Mesharit të dom Gjon Buzukut nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit. Atë Justin Rrota qe rregulltar françeskan tejet i durueshëm, i dashur dhe i përshpirtshëm, i dhënë mbas misionit françeskan, mbas punës e uratës, gjithnjë për Fe e Atdhe. Ndërroi jetë në Shkodër, më 20 dhjetor 1964, në moshën 75-vjeçare.

Ja diçka nga veprat e Atë Justin Rrotës 
1. Don Gjon Buzuku (1555), pjesë të zgjedhura e të komentuara për shkolla të mesme, botuar në Hylli i Dritës VI, pastaj në Shkodër 1930 dhe 1938, në Shkrimtarët Shqipëtarë Tiranë 1941.
2.Ma të para kopje të fotografueme të Buzukut, Nëndori II, Tiranë 1941, n.3, faqe 76.
3.Hulumtime dhe shënime mbi Gjon Buzukun, Buletin 3, Tiranë, 1956:173188.
4. Rreth gramatikologjisë shqipe, Shkodër 1923, 1933.
5.Letratyra shqipe, Shkodër 1925, 1934, 1936, 1944.
6.Analizimi i rasave t’emnit, Shkodër 1931.
7.Sintaksi i shqypës, Shkodër 1932, 1942, 1944.
8.Për historinë e alfabetit shqyp, Shkodër 1936, Prishtinë 1968.
9.Don Lukë Matranga, shkrimtari ma i vjetri i italoshqiptarvet, Shkodër 1931, 1939.
10.Rreth votrës I, novela shkodrane, Shkodër 1945.

Atë Justi Rrota ka botuar edhe libra të tjerë me përmbajtje fetare e shpirtërore, si dhe studime të shumta filologjike e gramatikore në revistat dhe fletoret e kohës si Hylli i Dritës, Zani i Shna Ndout, Bijat e Zojës etj me emër të plotë. Në dorëshkrim janë Gjuha e shkrueme shqipe (850 faqe), Monografia e plotë e gramatikës, leksikologjisë, fonetikës, e morfologjis në gjuhën shqipe (dorëzuar Institutit të Gjuhësisë në Tiranë). Studime janë botuar edhe pa emër të tij nga pseudogramatikologët e kohës. Vdiq dhe u varros në Shkodër më 21 dhjetor 1964.