Astrit Patozi ironizon Bashën ja arsyet se pse Basha po hesht: Nuk është me të thënë, është me të dhënë…

Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike Astrit Patozi vijon kritikat e tij ndaj sjelljes dhe mënyrës së të bërit opozitë nga kryetari i PD-së Lulzim Basha që u rimandatua në zgjedhjet e 22 korrik, zgjedhje këto që sipas Patozit, shënuan një fitore të Bashës të barazvlefshme me atë të Ramës në 25 qershor.  Përmes një analize të gjatë dhe në një përpjekje të tij për një komunikim me gazetarët, Patozi shpjegon arsyen se pse po hesht Basha gjatë këtyre ditëve. “Unë e kuptoj se gazetarët kjo mungesa fizike në Shqipëri nuk i bind fare, pasi teknologjia ka avancuar aq shumë, sa e gjithë bota, është shndërruar realisht në një fshat të vogël. Por kjo çështja e reagimit të shpejtë dhe të vendosur në politikë, nuk është me të thënë, por është me të dhënë. Ndaj do t’i ftoja shumë miqësisht ata, që të mos e kërkonin asnjëherë Lulzimin aty ku ai nuk është”- shkruan ndër të tjera Astrit Patozi.

Analiza e plotë e Astrit Patozit

NUK ËSHTË ME TË THËNË, ËSHTË ME TË DHËNË…

Jo thjesht meqë është verë, por edhe ngaqë ësvhtë verë, ka nisur një debat i ndezur për mungesën e gjatë të kryetarit të shkrirë të Partisë Demokratike në qëndrime publike kundër qeverisë.

Në fakt, daljet e Lulzim Bashës kanë qenë gati ekzotike, që pas pllakosjes së humbjes së 25 qershorit e deri më sot që po flasim. Por deri më 22 korrik avokatët e tij ishin të justifikuar me “vetëngrirjen”, një mekanizëm hileqar, që u përdor nga përgjegjësi kryesor për humbjen e Partisë Demokratike për të mos dhënë dorëheqjen.

Por pas fitores së tij “plebishitare” ndaj Eduard Selamit kanë rënë të gjitha argumentet që Lulzim Basha fliste edhe me heshtjen e tij.

Disa analistë të shtypit u përfshinë dje në një polemikë të gjatë, e cila me shumë gjasë do të vazhdojë edhe ditët në vijim. Në të nuk munguan edhe mbështetës apo vartës të Lulzim Bashës, të cilët, sipas meje, janë në të drejtën e vet të shprehen.

Replikat e tyre, pavarësisht ndonjë teprimi, i shoh si një nevojë të shoqërisë për të pasur një opozitë serioze dhe aktive, sidomos në rrethanat e një ektrashumice si ajo, që ka dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit. E cila e ka brenda kërcënimin për t’u shndërruar në një pushtet arbitrar dhe arrogant, aq më tepër kur në krye të saj qëndron një personazh eksentrik dhe i paparashikueshëm si Edi Rama.

Por nga ana tjetër, nuk mund të mos e them se ka një kontrast të thellë mes shqetësimit natyral të shtypit dhe qetësisë, me të cilën po i shtyn këto ditë të nxehta gushti Lulzim Basha.

Gazetarët dhe analistët, që po e kërkojnë prej kohësh, nuk kanë pse presin kaq shumë prej tij. Sepse Lulzim Basha ka pasur raste që ishte i paqenë edhe kur ndodhej pa ndërprerje dhe për ditë të tëra në Shqipëri. Ndaj është e padrejtë t’i kërkosh atij që të jetë më aktiv, në kushtet kur edhe fizikisht nuk gjendet në atdhe, por ndodhet jashtë shtetit.

Unë e kuptoj se gazetarët kjo mungesa fizike në Shqipëri nuk i bind fare, pasi teknologjia ka avancuar aq shumë, sa e gjithë bota, është shndërruar realisht në një fshat të vogël. Por kjo çështja e reagimit të shpejtë dhe të vendosur në politikë, nuk është me të thënë, por është me të dhënë. Ndaj do t’i ftoja shumë miqësisht ata, që të mos e kërkonin asnjëherë Lulzimin aty ku ai nuk është.

Nëse do të duhet patjetër një shpjegim për këtë, kushdo e ka përpara syve. Mjafton të bëhet një analizë e ftohtë për zhvillimet e fundit politike, që kanë ndodhur në Shqipëri pas zgjedhjeve të 25 qershorit.

Edi Rama po shfaqet i relaksuar dhe i pashqetësuar, madje edhe nga zjarret, që po djegin gjysmën e pyjeve të vendit, sepse ka arritur objektivin e vet të dyfishtë, edhe me ndihmën e bashkë-nënshkruesit të marrëveshjes së 18 majit; të fitojë zgjedhjet dhe të mbajë i vetëm timonin.

Lulzim Bashës i janë mbaruar fjalët dhe po shijon i qetë pushimet e këtij gushti përvëlues, sepse ka arritur të vetmin objektiv, që i kishte vendosur vetes, të rimerrte edhe një herë timonin e Partisë Demokratike, edhe pse prej autobusit të saj kishte zbritur gjysma e pasagjerëve.

I pari e kishte betejën më 25 qershor, ndërsa i dyti më 22 korrik. Të dy kanë fituar në mënyrën e tyre, ndaj duhet pritur shtatori, se mbase shirat sjellin me vete jo vetëm fundin e vapës dhe shuarjen e zjarreve, por mbase edhe ndezjen e opozitës së Lulzim Bashës.