Artur Zheji: Pse shpërthen ambasadori Lu dhe bandat që drejtojnë Shqipërinë…

Ka ndryshuar diçka e rëndësishme apo diçka e rëndësishme pritet të ndodhë në Shqipëri, me këtë klasë politike? Ambasadori Lu, që është teorikisht edhe në periudhën e fundit të mandatit të tij diplomatik, e ka intensifikuar dukshëm kritikën e tij të ashpër ndaj kësaj Shumice dhe rreshton ditë pas dite, mëkatet e saja të djeshme dhe të sotme.

Lu nënvizon dekriminalizimin e Kuvendit, kur është e qartë, që numri më i madh, i deputetëve me probleme apo kandidatëve për kryebashkiakë, ishte prurja e PS dhe pra, një prurje personale e kryeministrit të sotëm.

20 bandat apo 20 familjet mafioze që drejtojnë sot Shqipërinë sipas tij, dihet që më së shumti janë të lidhura natyrshëm me pushtetin dhe në krye të pushtetit në këtë vend, dihet se kush është. Është pra një ndërrim kursi?

Është pra kryeministri i sotëm, një target, pas një diagnoze të re që vjen nga Washingtoni? Apo ambasadori Lu, me informacionin specifik që ka në tryezën e tij, ka krijuar një këndvështrim të ri, për faktorët e të keqes, që mundojnë Shqipërinë?

Apo thjesht kemi të bëjmë me një paralajmërim, sepse zullumi i gjithë pushtetshmërisë së kësaj Shumice, po shndërrohet në një papërgjegjshmëri dhe në një arrogancë, që mund të marrë një spirale të rrezikshme?

Interesat amerikane në Shqipëri, janë shumë të rëndësishme, por edhe interesat jetike shqiptare, janë të lidhura me qindra fije të pazgjidhshme me politikën dhe vëmendjen amerikane. Shumë cuba të mbipasuruar, nga radhët e politikës ose jo, e ndjejnë veten nën trysninë e vëmendjes amerikane dhe kërkojnë më shumë “pavarësi”, për të mbajtur dhe forcuar klanet e tyre, për të siguruar paprekshmërinë e parave të tyre dhe të influencave të jashtëzakonshme dhe jo ligjore që ata kanë.

Për të vijuar mjeljen e lopës Shqipëri, por edhe për të therur interesat e saja kombëtare, nëse i vjen mirë bizneseve të tyre. Ky realitet ka sjellë një polarizim të rrezikshëm të shoqërisë sonë, polarizim që mbart destabilizim të thekshëm social, destabilizim të cilit i druhet më së shumti ambasadori Lu dhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

Dhe pra, dukshëm Lu, tashmë njohës i mirë i realitetit shqiptar, është hedhur në një sulm të paparë dhe shpresojmë të mbarë, për të korrigjuar këtë situatë shqiptare, shumë afër pikës kritike që mbiquhet: Out of control! /360grade.al/