Arti si pasion dhe mision. Mbahet Festivali ndërkombëtar i Kërçovës, Maqedonia e Veriut

“Në Dardhë dhe në Dibër, mbetet i papërsëritshmi ‘Nderi i Kombit’, Hazis Ndreu, emri i të cilit është gdhendur edhe sot, jo vetëm në kujtesën e secilit prej nesh, por edhe në ansamblin artistik që mban emrin e tij të madh dhe që drejtohet nga i biri, një krijues shumë i talentuar dhe koreograf i përmasave kombëtare, si Avni Ndreu”

Nga Halil RAMA

Ndërsa po ndiqnim natën e dytë të edicionit të 14 – të  të Festivalit Folklorik “Kërçovë 2021”, drejtori i këtij eventi Mazllam Osmani na dhuron një botim me studime etnografike të krahinës, në të cilin kishte disa referenca nga Hazis Ndreu – Nderi i Kombit. Jo pa qëllim kishte zgjedhur për të na bërë këtë dhuratë çastin kur në sheshin para pallatit të kulturës të komunës së Kërçovës po performonte grupi i valleve të Ansamblit që mban emrin e studjuesit, poetit, aktorit, valltarit e koreografit të mirënjohur. Më tej, gjatë bashkëbisedimit ai shprehet se ka qenë fare i ri kur ka dëgjuar dhe është mrekulluar me këngët, rapsoditë e kërcimet e tij. sidomos në vallen dyshe dibrane me kërcimtarin e mirënjohur Besim Zekthi. Në këtë kontekst ai vlerëson ruajtjen e traditës nga ky ansambël me emrin e tij, valltarët e të cilit, me performacën e tyre të shkëlqyer ngritën peshë zemrat e artdashësve të shumtë që kishim nbushur sheshin para Pallatit të Kulturës së qytetit të Kërçovës. Kjo ndërlidhje e traditës, parasëgjithash është dëshmi e zhvillimti të artit si pasion dhe mision. Këtë e dëshmojnë më së miri përvoja dhe arritjet e Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu” – “Nderi i Kombit”, i cili në 10 vjet veprimtari intensive ka konkuruar dhe fituar dhjetra trofe e çmime në Festivale mbarëkombëtare e ndërkombëtare.

Vetëm para pak ditësh ky Ansambël triumfoi në edicionin e 18-të të festivalit mbarëkombëtar “Sofra Dardane”, që u mbajt në Tropojë me pjesëmarrjen e 40 grupeve, ku u nderua me Çmimin e Madh të këtij Festivali. Në repertorin e këtij Ansabli numërohen me dhjetra valle, këngë e interpretime të tjera krijuese, me të cilat  ka “pushtuar” hapësirat mbarëkombëtare e ato ndërkombëtare si në: Turqi, Rumani, Bullgari, Itali, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, etj.

Të shtunën e 10 korrikut ky ansambël konkuroi dhe u vlersua si më i miri në Festivalin e 14-të ndërkombëtar në Kërçovë, Maqedonia e Veriut. Këtu,   Ky është parasëgjithash vlerësim i Drejtorit të Festivalit  Mazllam Osmani

Ansambli Artistik “Hazis Ndreu” – “Nderi i Kombit”, i themeluar dhe drejtuar nga  i biri i tij artist, koreografi Avni Ndreu – “Mjeshtër i Madh”, është një Ansambël grupesh zinxhir (akademi) të organizuar në grupe nga mosha 5 vjeç e lartë. Janë me qindra artistët që kanë kalur në përvojën e këtij Ansambli në këto 10-vjet, duke mbushur skenat dhe sheshet e Tiranës, Kamzës, Ulqinit, Dibrës, Tropojës, Strugës, Tetovës e mbarë Shqipërisë. Në shfaqjet e organizuara herë pas here nga ky ansambël kanë performuar artistët: Arif Vladi – Mjeshtër i Madh dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut, Qerim Sula – Mjeshtër i Madh dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut (pas vdekjes), Liri Rasha – Mjeshtër i Madh dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut, Vera Laçi – Mjeshtër i Madh, Sherif Dervishi – Mjeshtër i Madh (pas vdekjes), Dardan Pepkola, Zaim Tollja si dhe këngëtarja dhe valltarja e shumëtalentuar Erida Stana, valltarët: Adem Kurti, Fabjon Isufaj, Fatjona Ismailukaj, Eralda Jaurri, Serxho Rriçku, Ergys Doçi, Kristjan Kavalli, Marsida Zhgjuni, Orinda Prenci, Rexhina Qerimi, Livia Bushpepa, Ledion Zhgjuni, Jugers Muça, Sara Ndreu e tjere. Krijmtaria e këtij ansambli, e ardhur nga ajka e kompozitorëve si: Përparim Tomçini – Mjeshtër i Madh (pas vdekjes), Edmond Zhulali – Mjeshtër i Madh  dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, Kol Susaj – Mjeshtër i Madh, dhe udhëheqja artistike nën drejtimin e “Mjeshtrit të Madh” Xhelil Ymeraj dhe mjeshtrit të koreografisë Avni Ndreu – “Mjeshtër i Madh”, ja kanë rritur vlerat dhe përmasat këtij ansambli duke i dhënë statusin e një ansambli kombëtar profesionist.

Ansambli ka performuar në disa televizione prestigjoze ndërkombëtare e kombëtare si: Rai Uno, Tv Romania, TRT Turk, RTK Kosovë, RTV Koha Tetovë, Top Channel, Vizon Plus, Tv Klan, TVSH, etj.

Avni Ndreu – “Mjeshtër i Madh”, artisti që lartëson emrin e familjes

Nëse Ansambli Artistik “Hazis Ndreu” – “Nderi i Kombit” është bërë i njohur për dhjetra trofe e çmime mbarëkombëtare e ndërkombëtare, kjo i dedikohet parasëgjithash një emri të spikatur. Ai është Avni Hazis Ndreu, themelues dhe drejtues i këtij ansambli emërndritur, të dekoruar  nga Presidenti i Republikës me Titullin “Naim Frashëri”, me motivacionin:“Për veprimtarinë e shquar në mbartjen, ruajtjen dhe përsosjen e traditave, folklorit dhe trashëgimisë së çmuar etnokulturore të trevës së Dibrës. Me mirënjohje për përkushtimin, shpirtin artistik dhe talentin që ka shpalosur në skenat shqiptare dhe të huaja këngët dhe vallet tradicionale, veshjet koreografike si dhe meloditë e pasura burimore të shumë brezave dibranë.”.

Ndërkohë edhe themeluesi e drejtuesi i këtij Ansambli, koreografi i shquar Avni Hazis Ndreu është dekoruar me titullin “Mjeshtër i madh” (Nr. Dekretit:13093, Data e dekretit: 08.06.2021) me motivacionin:  “Me mirënjohje për kontributin e spikatur në krijimin dhe drejtimin artistik të Ansamblit ‘Hazis Ndreu’. Në vlerësim të talentit krijues e interpretues si dhe veprimtarisë së shumanshme organizative, me të cilat i ka shërbyer lartësimit të folklorit, etnografisë, valleve dhe kulturës popullore shqiptare dhe veçanërisht, asaj dibrane”.  Duke e konsideruar drejtuesin e këtij Ansambli një personalitet të përmasave kombëtare, kreu i shtetit nënvizon se: “Në Dardhë dhe në Dibër, mbetet i papërsëritshmi ‘Nderi i Kombit’, Hazis Ndreu, emri i të cilit është gdhendur edhe sot, jo vetëm në kujtesën e secilit prej nesh, por edhe në ansamblin artistik që mban emrin e tij të madh dhe që drejtohet nga i biri, një krijues shumë i talentuar dhe koreograf i përmasave kombëtare, si Avni Ndreu”. Është ky, artisti që lartëson emrin e babait artist dhe të familjes së madhe “Ndreu” të Dibrës. Ky emër i spikatur që zë vend nderi në historinë e kulturës sonë kombëtare, aktivitetin artistik e nisi më 1975 deri në 1978 si Përgjegjës i Shtepisë së Kulturës dhe Udhëheqës artistik i Ansamblit “Kuvendi” Dardhë, Dibër,  Shtepia e Kulturës Zall-Dardhë. Avni Ndreu, i cili ka kryer Shkollën e mesme Pedagogjike në Shkodër me 1967-1971 dhe më pas Insitutin e Larte të Arteve, Tiranë më 1972-1976, prej shumë dekadash në krye të ansamblit “Hazis Ndreu” – “Nderi i Kombit”, ka lartësuar emrin e tij, duke mbajtur gjallë dhe duke transmetuar sidomos tek brezat më të rinj, cilësi dhe vlera artistike të shumta. Me talentin e tij si koreograf, valltar e poet si dhe me aftësitë e tij artistike e organizuese i ka dhënë ansamblit ‘Hazis Ndreu’ një emër të madh në botën e kulturës shqiptare dhe përtej saj, duke përfaqësuar denjësisht vendin tonë. Kjo për faktin se ky ansambël është përçuesi dhe promovuesi i vlerave më të mira të artit e kulturës sonë kombëtare në botë. Treguesi më sinjifikativ për këtë janë çmimet e fituara në festivalet ndërkombëtare në Turqi, Rumani, Itali, Mali i Zi , Maqedonië e Veriut, etj. Po ashtu Ansambli Artistik “Hazis Ndreu” – Nderi i Kombit”, është fitues i çmimeve të para në festivalet mbarëkombtare, si:  në fest “Këngë Jeho” Strugë, në fest mbarkombëtar Plavë e Guci, në festivalin e Rahovecit, Kosovë, në fest e Drenasit, në fest e Hasit, Kosovë, si dhe  në fest “Burimet e Sharit”,  Maqedoni. Po ashtu ka fituar Kupën e festivalit në fest mbarkombëtar të Gjimnastradës. Tiranë, çmim të parë në fest “Ruajmë Traditën” në Tiranë, në fest mbarëkombëtar të Talenteve të reja dhe artistëve të rinj në Pukë e shumë e shumë çmime të tjera.

Krenare për arritjet e këtij ansambli ndjehet edhe koreografja  e valltarja e talentuar Earta  Ndreu, edhe për faktin që Ansambli mban emrin e gjyshit të saj, Hazis Ndreu – këngëtar, koreograf, valltar, studjues dhe shkrimtar i përmasave mbarëkombëtare…

Promovimi i vlerave më të mira të kulturës sonë kombëtare

Avni H.Ndreu, vlerëson gjithashtu rolin e Presidentit të Ansamblit, Z,Muharrem Gjoka, i cili gjendet prej vitesh pranë këtij grupimi artistik, si një dorë e ngrohtë, inkurajuese dhe mbështetëse, një emër, i cili e nisi jetën e tij artistike si një talent i skenës dhe i valles dibrane dhe sot nderohet si një burrë Dardhe dhe Dibre, i vlerësuar me Titujt “Mjeshtër i Madh” nga Presisdenti i Republikës dhe  “Nderi i Qarkut Dibër”, nga Këshilli i këtij qarku.  Po ashtu vlerëson mbështetjen e Kreut te Shoqatës “Ansambli “Kuvendi” Zall Dardhe, Z.Neshat Ndreu. Kjo për faktin se atë që bënë burrat e shquar të Dardhës, para shtatë dekadash, duke themeluar Ansamblin “Kuvendi”, me në krye shumëtalentuarin Hazis Ndreu, po e ripërtërin Neshat Ndreu-President i Shoqatës “Ansambli Kuvendi Zall Dardhë”. Janë të rrallë burrat si Ai, që edhe në këto kohë të vështira kontribuojnë për ringjalljen e traditës. Realizimi prej tij i vizitës së Presidentit Meta në Zall Dardhë shtatorin e vitit të kaluar , ku u vlerësuan me dekorata të larta artistët më të mirë të kësaj treve: Xhelal Çerpja, Qerim Sula e Sherif Dervishi (pas vdekjes), si dhe Liri Rasha, Saje Poleshi, Xhelil Imeraj, Lutfi Ndreu, Shaban Mëziu, Neshat Ndreu e Agim Cani është shembull frymëzimi për të gjithë ata që duan të promovojnë e trashëgojnë traditat e shkëlqyera të Dardhës.

Avni Ndreu shprehet me krenari se ky bilanc suksesesh është meritë e  një grupimi artistësh të talentuar, që ka lënë kaq shumë gjurmë dhe ka fituar kaq shumë çmime brenda dhe jashtë vendit. Ndaj dhe duhen përgëzuar për atë rol të pazëvendësueshëm që kanë luajtur dhe vazhdojnë ta bëjnë, si përçues dhe frymëzues për brezat e sotëm dhe për ata që do të vijnë! Arti mbi të gjitha është pasion dhe mision, të cilin Avni H.Ndreu dhe artistët e ansamblit që ai drejton e kanë kryer me shumë përkushtim dhe me shumë atdhedashuri.