Arthur Miller dhe Merlin Monro, në fokusin e aparatit të të famshmit shqiptar të fotografisë, Gjon Mili

Merlin Monro ka veshur një peliçe të bardhë, me flokët e kapura me një karficë, teksa i buzëqesh aparatit të Gjon Milit, e ulur në Metropolitan Opera më 10 shkurt 1959. Përkrah saj, i veshur me një kostum të zi, e këmishë të bardhë, në portretin e të cilit dallohen syzet është bashkëshorti i saj, dramaturgu i njohur, Arthur Miller. Çifti e ka bërë këtë foto vetëm dy vjet para ndarjes që do të vinte më vitin 1961, në premierën e Makbethit. Kjo fotografi e realizuar nga artisti i njohur shqiptar, Gjon Mili, është vetëm një prej dhjetëra negativëve ku është fiksuar jeta e një prej çifteve më të njohura të Amerikën e viteve ’60. Mik i ngushtë i Miller, Gjon Mili ka qenë i pranishëm në momente të ndryshme private të jetës së çiftit, duke fokusuar në aparat momente që sjellin një dimension tjetër njerëzor të Miller dhe Monro.

Gjon Mili është një prej fotografëve që ka fotografuar dhe dasmën e tyre. Në një prej fotove çifti shfaqet duke kërcyer pas një mbrëmjeje që duket se ka qenë e mbushur jo vetëm me muzikë, por edhe alkool. Në një tjetër foto ata shfaqen të dy në errësirën të mbështetur pas një peme. Fotot e realizuara nga Gjon Mili nuk janë thjesht fotografi. Ato mbartin brenda dhe historinë e dy personazheve, duke futur elemente të karakterit të tyre. Nuk mungon drita aq e përdorur nga Mili, në një pjesë të fotografive. Arthur Miller i besonte Gjon Milit, jo thjesht fotografitë e momenteve private, por dhe kopertinat e librave të tij.

Ata nuk ishin thjesht dy bashkëpunëtorë, por dhe dy miq që ndanin koncepte të përbashkëta për artin në ato vite. Kopertina e librit “The crucible” më 1953 është realizuar me një fotografi të artistit shqiptar. Emrat e Milit dhe Miller shfaqen bashkë dhe në diskutime të ndryshme që janë bërë për teatrin në SHBA-në e atyre viteve.

Në veprën e tij “Timebends” (1987), Arthur Miller shkruan kështu për artistin shqiptar: “Aty nga fundi i jetës së tij, nja njëzet e ca vite më vonë, Gjoni filloi të më fliste gjithnjë e më shpesh për nënën, porositë e së cilës sipas tij i kishte akoma të nevojshme. Edhe pse i kishte kaluar tashmë të shtatëdhjetat, ai donte që të kishte ende sukses në Amerikë, me qëllim që nëna e tij, nja nëntëdhjetë e kusur vjeç, të mund të mburrej me djalin e saj atje larg, diku në malet e izoluara të Shqipërisë”.

Miller, u përket atyre autorëve që kanë ardhur herët për lexuesin shqiptar, si, “Pamje nga ura” (2012), “Ngjarja në Vishi” (1973), “Shtrigat e Salemit” (1973), “Les Sourcières de Salem : suivi de Vu du pont”, (1959), “I don’t need you any more:  stories” (1967) etj., si dhe një sërë artikujsh kritikë të botuar ndër vite në shtypin shqiptar. Fituesi i çmimit Pulitzer më 1949, dramaturgu Arthur Miller, është ndër të paktë autorë, vepra e të cilit ndonëse kishte përplasje me ideologjinë komuniste, do të përkthehej dhe ngjitej në skenën e teatrit shqiptar. Artur Miller (1915-2005), i lindur në New York, SHBA, do të konsiderohet edhe si përfaqësuesi më i rëndësishëm i realizmit psikologjik amerikan. Ai do të vlerësohej më 2001 me çmimin “Praemium Imperiale” akorduar nga familja perandorake e Japonisë, si dhe në vitin 2003 me Çmimin e Jerusalemit.

Arthur Miller,  u lind më 17 tetor 1915 New York dhe ndërroi jetë më 10 shkurt 2005 në Roxbury, Connecticut. Ai njihet si shkrimtari, esse-isti dhe dramaturg i njohur amerikan, i cili la gjurmë në transformimin e teatrit. Konsiderohet si i themelti i realizmit psikologjik në teatër. Emri dhe vepra e tij kanë plazmuar në kujtesën e gjeneratës figurën e një personazhi që me artin e tij zgjodhu t’u drejtohet të gjithëve. U nderua me shumë çmime por vlerësimin më të madh ia atribuon vënia dhe rivënia e vazhdueshme në skenat teatrore të veprave të tij dhe vlerësimi që përfton në një bot që ndryshon.

Me gjuhën e fakteve

Ai rrjedh nga një familje hebre austriake e mërguar në ShBA. Babai i tij ishte sipërmarrës i prodhimit të veshjeve dhe kishte të punësuar 400 punëtor. Më 1929 familja e tij do të humbiste pothuaj të gjithë pasurinë gjatë viteve të krizës ekonomike botërore. Në moshën e adoleshencës, Milleri do të angazhohej në punë çfarëdo për të ndihmuar familjen. Edhe pas studimeve më 1932 ai do të bënte punë të rëndomta që të siguronte të ardhurat që do ti mundësonin shkollimin në kolegj.

Më 1934, Mileri studioj publicistikë,  gjuhën dhe literaturën angleze, pranë Universitetit të Miçigenit. Pas përfundimit të studimeve më 1938, Milleri shkroi pjesë për dëgjim dhe pjesë aktrimi. Më 1945 pa dritën e botimit romani i tij “Pika kyçe”, që e bëri të njohur Milerin si tregimtar. Shpërthimin si dramaturg ia solli “Të gjithë bijtë e mi”, 1974. Më 1949, Artur Mileri arrin sukses botërorë me “Vdekja e tregtarit udhëtar”. Në dramën e tij “Pamje nga ura”, 1955 ai jetësoi tematikën e xhelozinë, krisjen e një marrëdhënie të një çifti italiano-amerikan. “Kujtimi në dy të hënat”, 1955 paraqet botën moderne të punishteve. Nga mesi i viteve ‘50, Mileri akuzohet nga senatori Mek Karti për sjellje joamerikane, dhe pikpamje komuniste. Një padi dhe një penalitet në të holla dhe burg që fatmirësisht u tërhoq. Më 1956 Mileri i shton një tjetër sy vëmëndjes amerikane dhe asaj botërore, me kurorëzimin në martesën e dytë me ikonën Merlin Monron. Për të shkroi më 1959  librin e filmit të Gjon Hustonit  “I pashoqërueshëm”. Në dramën “Pas mëkatit”, 1964 Milleri lëkundet për përkushtimet qendrore të tij, pyetja e fajit dhe përgjegjësisë së individit dhe shoqërisë. Figura e avokatit merret si pasqyrë reflektimi të Milerit, me figurën Magi ai portretizon ish-gruan e tij, tanimë të vdekur Merlin Monro. Në dramën “Çmimi”, 1968, Mileri demonstron se si shkatërrohen marrëdhëniet njerëzore nëpërmjet këmbënguljes së arritjes së qëllimeve ekonomike egoiste. Artur Milleri konsiderohet si përfaqësuesi më i rëndësishëm i realizmit psikologjik amerikan.