Kanë kaluar dy ditë nga momenti kur Gjykata e Krimeve të Rënda dha masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, i akuzuar për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të drogës nëpërmjet bashkëpunimit me grupin e strukturuar kriminal “Habilaj”.
Vendimin e Gjykatës për Tahirin e ka komentuar sot shumë shkurt edhe Presidenti Ilir Meta, i cili ndodhej në një aktivitet në Bashkinë e Cërrikut.
“Drejtësia të veprojë në mënyrë të pavarur sipas ligjeve të shtetit të së drejtës” , është shprehur Meta në lidhje me çështjen Tahiri.
Kreu i shtetit mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të 75-vjetorit të Batalionit partizan të Dumresë, ku vendosi kurora me lule në memorialin kushtuar këtij batalioni.
“Nderim sakrificave të rinisë dhe rezistencës partizane që udhëhoqi Luftën Nacional- Çlirimtare. Është momenti të përkulemi me respekt para dëshmoreve te LANÇ”, tha Kreu i Shtetit.