Arizona po dërgon 225 trupa të Gardës Kombëtare në kufirin SHBA-Meksikë

Arizona po dërgon 225 trupa të Gardës Kombëtare në kufirin SHBA-Meksikë dhe guvernatori Doug Ducey tha se më shumë trupa do të dislokoheshin të martën.

“Siguria kufitare është një shqetësim i madh këtu. Dy të tretat e kufirit tonë tashmë kanë një mur. Për mua do të ishte e mirëpritur ngritja e një muri për pjesën e mbetur të kufirit të shtetit tonë. Nuk më pëlqen mënyra se si kufiri ynë është i hapur dhe i pasigurt veçanërisht në sektorin pranë distriktit të Tusonit. Unë gjithashtu mendoj se ne mund të përdorim trupa dhe teknologji në terren”, u tha Ducey gazetarëve të hënën.

Arizona iu bashkua Teksasit, i cili dërgoi 250 trupa të Gardës Kombëtare në kufirin e tij jugor të premten.

Dy shtetet e tjera kufitare, Nju Meksiko dhe Kalifornia, nuk kanë dislokuar asnjë ushtar të Gardës Kombëtare, edhe pse guvernatori i Nju Meksikos ka lënë të kuptohet se do ta bëjë këtë. Guvernatori i Kalifornisë nuk është shprehur mbi planet e shtetit të tij.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis nënshkroi një urdhër javën e shkuar duke autorizuar dislokimin e deri në 4,000 trupave të Gardës Kombëtare për të siguruar kufirin. Urdhri siguron financimin e Pentagonit për trupat deri në shtator.

Urdhëri i Sekretarit Mattis specifikon se trupat e Gardës nuk mund të marrin pjesë në zbatimin e ligjit dhe mund të jenë të armatosur vetëm kur është e nevojshme për vetëmbrojtje. Një udhëzim i Departamentit të Mbrojtjes thotë se anëtarët e Gardës nuk do të “angazhohen me emigrantët apo persona të tjerë të ndaluar” pa miratimin e Sekretarit Mattis.

Presidenti Donald Trump ka thënë se ai dëshiron që ushtria të mbetet në kufi deri sa të ndërtohet një mur. Por në buxhetin e miratuar kohët e fundit, Kongresi miratoi fonde për vetëm një pjesë të kufizuar të murit të ri dhe disa punime riparuese.

Garda Kombëtare ka 435,000 ushtarë rezervë të cilët mund të aktivizohen nga qeveria federale ose nga shtetet. Çdo shtet ka Gardën e vet Kombëtare, përfshirë Porto Rikon dhe Distriktin e Kolumbias. Guvernatorët shpesh dërgojnë Gardën për të ndihmuar në raste fatkeqësish natyrore ose trazirash civile.

Kushtetuta autorizon qeverinë federale të përdorë Gardën Kombëtare për të“ekzekutuar ligjet e vendit, për të shtypur kryengritjet dhe për të penguar pushtimin e vendit”.

Numri i njerëzve të kapur gjatë përpjekjes për të kaluar kufirin SHBA-Meksikë u zvogëlua vitin e kaluar, por ka filluar të rritet në vitin 2018. Javën e kaluar, Patrulla amerikane e Doganës dhe Mbrotjes së Kufirit njoftoi se më shumë se 50,000 njerëz u arrestuan duke u përpjekur të kalonin kufirin në mars. Kjo shënon një rritje në krahasim me marsin e vitit të kaluar kur u kapën vetëm 16,500 njerëz. Megjithatë, numri i të ndaluarve në kufi në mars të viteve 2013 dhe 2014 ishte shumë më i lartë.

Ndalimet në kufi janë shumë më të ulëta në krahasim me kohën kur ish-presidentët George W. Bush dhe Barack Obama dislokuan Gardën Kombëtare në kufi në vitet 2006 dhe 2010.

VOA