Arben Çokaj: E vërteta e Kullës së Prekë Calit, parë nga pikëpamja ligjore

Këto ditë, të gjithë u alarmuam rreth një ngjarje të rëndë, që mbuloi mediat tona vizive, portalet e gazetat: Kulla e Prek Calit u rrëzua! E habitshme, a nuk mjaftoi që komunistët e vranë këtë trim e atdhetar të flaktë, që i mbrojti me forcë kufijtë e Shqipërisë?

E nuk munguan akuzat për komunistët, që rrëzojnë kullën e heroit të Malësisë, mllefet e pakënaqësitë e mëdha… sidomos në rrjetet sociale… Dhe mund të thuhet se u përhap edhe një mjegullnajë e qëllimtë, sikur fajin e kishte Bashkia Malësi e Madhe për rrëzimin e kullës.

POR SI QËNDRON E VËRTETA?

Duke njohur përfaqësues të Bashkisë dhe njerëz të tjerë, që u shqetësuan nga kjo ngjarje, mora edhe informacionin e nevojshëm, për ta bërë këtë sqarim, me fakte e fjalë më të kuptueshme, se si filloi e si erdhi puna deri këtu,me këtë ngjarje të pakëndshme.

Disa njerëz që kanë lidhje me deputetin Tomë Doshi, si Gjeto Dukaj – ish kryetar i Komunës Kelmend, Sandër Laçaj – mik i Tomës dhe bashkëshorti i drejtores së monumenteve të kulturës në Qarkun Shkodër, Majlinda Laçaj, etj. në bashkëpunim me Fondacionin Prek Cali në SHBA,  kishin mbledhur fonde për të ndërtuar një kullë 3 katëshe, dhe një shtatore të Prek Calit para saj.

Në letrën e publikuar nga fondacioni Prek Cali, kemi një foto të Prek Calit, një imazh të projektit, dhe dokumentin që Majlinda Laçaj ka lëshuar, duke e cilësuar kullën e Prek Calit “monument kulture”.

Drejtorja e monumenteve kulturore kishte lëshuar kështu një dokument, sikur shtëpia apo kulla e Prek Calit ishte monument kulture, gjë që rezulton të jetë e pavërtetë. Pasi monument kulture, një objekt shpallet vetëm me vendim të Ministrisë së Kulturës. Por ky dokument fals (nëse është i tillë) u përdor për të bindur atdhetarët shqiptarë në Nju Jork e më gjerë, që të mblidhnin fondet për ndërtimin e kullës së re…

Nga fundi i korrikut, fillimi i gushtit, filloi edhe puna për kullën e Prekë Calit. Në fillim u rrëzua kulla ekzistuese, u bë një platformë apo bazament betoni dhe u vendosën hekurat e kolonave, pasi sipas ndërtuesve, ajo kullë që të bëhej e fortë dhe e qëndrueshme, duhej të mbështetej mbi një bazament të ri prej betoni, e të bëhej me kolona betoni,dhe jo vetëm ndërtim me gurë, që ka qenë kulla ekzistuese. Përderisa ky ishte një investim pothuajse privat nga ana e organizatorëve, që injoronte totalisht institucionin e Bashkisë, atëherë edhe kjo mund të lejohej, pasi kulla e Prekës nuk ishte ende monument kulture. Por çfarë duhej atëherë letra e Drejtorisë së monumenteve, që thoshte se kulla është monument kulture? Kjo duhej për të shmangur e injoruar Bashkinë nga ushtrimi i detyrës, për të krijuar alibinë, se gjoja lejen e ndërtimit e kemi nga një institucion më lart…

Me datën 16 gusht – tregon raporti i Bashkisë, një banor i fshatit Rapshë të Hotit, z. Ndue Dok Dreshaj, që është edhe personi më i afërt i mbetur nga familja e Prek Calit, informon dhe i kërkon ndihmë kryetarit të Bashkisë, se kulla e Prekës ishte rrëzuar dhe kishin filluar ndërtimin e një kulle të re, në vend të saj. Z. Dreshaj mund të gëzojë në fakt edhe të drejtën ligjore të trashëgimisë së pronës së Prekës, si nip i tij. Kjo e vuri në lëvizje Bashkinë, e cila të nesërmen shkoi në vend-ngjarje dhe konstatoi rrëzimit e plotë të kullës ekzistuese të Prekë Calit, nga ata që kishin filluar pa leje ndërtimin e një kulle të re.

(Kjo mund të shihet edhe nga fotografitë, që punonjësit e Bashkisë, kanë bërë në vazhdimësi).

Bashkia u ka kërkuar ndërtuesve dokumentacion për rrëzimin e kullës dhe për ndërtimet që po bënin, por ndërtuesit nuk kanë paraqitur asgjë. Në vazhdimësi, iu është dhënë atyre një urdhër për pezullimin e punimeve dhe paraqitjen në Bashki të kërkesës për leje ndërtimi.

Por kjo nuk mund të bëhej, pasi ndërtuesit po ndërtonin në një truall, që figuronte si tokë e shtetit në kadastër. Pra ata nuk kishin as pronësi mbi tokën.

Meqë kërkesa për leje ndërtimi e dokumentacioni i duhur kërkon që trualli ku ndërton të jetë në pronë të ndërtuesit, këta nuk e paraqitën në Bashki dokumentacionine duhur brenda dy javëve, prandaj Bashkia, në fillim të shtatorit, mori vendim për rrëzimin e objektit në ndërtim, si ndërtim pa leje dhe gjobiti sipas ligjeve të shtetit në fuqime 500 mijë lekë kundravajtësin, që kryente punimet e paligjshme.

Duket betoni i hedhur në pistën e bazamentit të kullës së re, që po ndërtohej.

Kjo i detyroi organizatorët që kishin grumbulluar fondet, që të takoheshin me deputetin PaulinSterkaj, të cilin u përpoqën edhe me mënyra jo fort të pranueshme, ta bindnin që ai të lejonte ndërtimin pa leje të kullës, por ai nuk pranoi.Ndërsa ndërtuesit vazhduan ndërtimin deri me ndërhyrjen e Bashkisë me datën 14 shtator, ku një fadromë e Bashkisë shkoi dhe rrëzoi një pjesë të murit të ndërtuar në ato ditë. Duke pezulluar kështu edhe vazhdimin e ndërtimit më tej, deri në përgatitjen e dokumentacionit të duhur, për të ri-vazhduar ndërtimin e objektit.

POLITIKA NË MES DHE MUSKUJT E DEPUTETËVE

Ka njerëz që dyshojnë se kjo ngjarje agravoi në këtë përfundim të pakëndshëm, për shkak të arrogancës së treguar nga grupi i deputetit Tomë Doshi, të cilët ua premtuan ndërtimin e kullës malësorëve në SHBA (dikush bleu në këtë kohë edhe një Mercedes-Bens për 40 mijë dollarë), por nga ana tjetër filluan veprimet e rrëzimit të kullës ekzistuese e ndërtimit të tjetrës, pa e pyetur fare Bashkinë e Malësisë së Madhe. Pa e kryer fare procedurën për lejen e ndërtimit dhe pa paguar edhe detyrimet e parashikuara me ligj. E kjo sidoqoftë, është ligjërisht e papranueshme.

Por pse Bashkia u tregua kaq e rreptë, në veprimin e saj për rrëzimin e një pjese muri të ndërtuar dhe pezullimin e punimeve, kur bëhej fjalë për kullën e një figure malësore të respektuar si Prek Cali? A mund të sillej Bashkia pak më butë, më e matur në këtë rast? Këtë e sqaron kryetari i bashkisë, Marinaj, me një deklaratë për mediat ku thotë: “Bashkia ishte e detyruar të ndërhynte. Gjykoni vetë, sa spekulim ka patur me këtë ndërtim pa projekt, që do ishte në jetë të jetëve pa administrator. Pra, një objekt historik duhet të ketë projekt, për sot e për nesër dhe dikush do e administrojë atë. Kush do e administronte godinën pas ndërtimit pa leje dhe për çfarë do e përdornin atë matrapazët, për hoteleri, biznes privat a për çka? Ja pra pse Bashkia ndërhyri. Ndërhymë që Shtëpia e Heroit Legjendar Prek Cali të mos kthehet në një biznes privat të matrapazëve, që nuk pranojnë ta bëjnë të ligjshëm objektin në fjalë.”

Kështu që edhe pretendimet se deputeti Sterkaj nuk pranoi ndërtim pa leje, për shkak të konkurrencës me deputetin TomëDoshi, bien. Kjo çështje është thjeshtë ligjore, nuk ka pse politizohet, është keq-menaxhim i atyre që morën përsipër ndërtimin pa leje në një territor të administruar nga Bashkia Malësi e Madhe. Fondacioni Prek Cali ka grumbulluar fonde, por është mashtruar, është prerë në besë nga ata njerëz, që e morën përsipër ndërtimin e kullës, pa e pyetur fare Bashkinë, e cila administron territorin e Malësisë së Madhe.

NJË ZGJIDHJE E MIRË PËR TË GJITHË

Meqë ngjarja u bë virale dhe pushtoi mediat e politikën, aq sa edhe KM Rama u shpreh për këtë, kjo tregon për sensibilizimin e shoqërisë sonë në lidhje me këtë ngjarje, prandaj duhet të synojmë të përfitojmë prej saj, që të bëhet si duhet, brenda ligjeve një punë e mirë tashmë, pas së gjithave.

Toka ku ndodhej kulla e Prek Calit, duhet t’i kalojë në pronësi nga Bashkia trashëgimtarit legjitim të Prek Calit. Pastaj me miratimin e pronarit, të kërkohet leja e ndërtimit për objektin e ri, duke i paraqitur një projekt inxhinierik Bashkisë dhe dokumentacionin e nevojshëm, konform rregullave. Dhe me ndërtimin e kullës së re, të financuar tashmë nga Fondacioni Prek Cali në SHBA, të  kërkohet nga Bashkia Malësi e Madhe më pas, që ky objekt të kthehet nga Ministria e Kulturës në monument kulture dhe të mbrohet nga shteti.

Besoj se me këtë zgjidhje të gjitha palët do të bien dakord, duke mirëpritur edhe një mbështetje nga KM Rama, në këtë rast. /Dita/