Arbana Xharra – Letra ime Sali Berishës

Emri juaj në Kosovë ka qenë si shpresë në fillim të viteve ’90-të kur ne kërkonim ndihmë nga Perëndimi për t’i shpëtuar Serbisë. Shqipëria nuk kishte shumë mundësi të na ndihmonte fizikisht dhe materialisht, por mund të na ndihmonte politikisht duke tentuar të bëhej një vend proevropian, me standarde perëndimore.

Pesë vjetët e qeverisjes suaj ia hoqën Shqipërisë shanset për të qenë një vend perëndimor, e përfshin atë në listën e zezë të vendeve që kontrabanduan naftë për regjimin nën embargo të Millosheviqit, siç vetë edhe e ke pranuar, deformove demokracinë në Shqipëri dhe u armiqësove me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në fund kur e pa vetë se nuk kishe ku të shkoje, ke bërë dy gjëma të mëdha për kombin shqiptar.

E para, ke dashur të eksportosh krizën tënde politike në Kosovë, duke tentuar të minosh autoritetin e presidentit Ibrahim Rugova me qëllim destabilizimin e Kosovës dhe e dyta, ju dorëzove ushtarëve të Allahut të Bin Ladenit, duke pajisur me pasaportë të shtetit shqiptar vëllanë e Al Zawahrias, pasuesit të Bin Ladenit në krye të “Al Qaeda”-s dhe dhjetëra drejtuesve të logjistikës kriminale të asaj organizate.

Ke tentuar sipas dëshmive të bashkëpunëtorëve të tu të lidhesh në vitin e zi – 1997 me krahun radikal të “Al Qaeda”-s për të shpëtuar nga humbja e pushtetit dhe bash për këtë ke qenë duke e varrosur Kosovën.

Ikja jote nga pushteti ka qenë fati i Kosovës dhe izolimi juaj deri në çlirimin e Kosovës dhe disa vite më pas ka qenë nevojë për të shpëtuar nga një ngatërrestar ballkanik.

Ibrahim Rugova nuk ta hapi derën në vitin 2000 për të ardhur në Kosovë në përpjekje për të dalë nga izolimi ndërkombëtar dhe kjo nuk ka qenë hakmarrje për çfarë i ke bërë, por një vendim i një lideri properëndimor të kombit shqiptar që e ndante nga ty, përpjekja për ta djegur Shqipërinë dhe Kosovën që të shpëtoje karrigen tënde.

Kjo është historia jote e vërtetë me Kosovën dhe shqiptarët. Unë nuk jam e sigurt nëse ajo fjala e urtë “si nena e Zeqos në maje të thanës” që ju e përdorni për mua është korçare apo jo, por jam gati ta quaj edhe gjakovare kur shikoj çfarë degradimi ka njeriu që 25 vjet më parë ngjallte shpresa në Kosovë dhe në Shqipëri.

Zoti e ka ruajtur Shqipërinë dhe Kosovën nga udhëheqës si ju. Dhe shpresoj se do ta ruajë edhe në të ardhmen.

(Repost: 22.02.2017)

a.ç