Ansambli Popullor përfaqëson Shqipërinë në festivalin “Ballkan Trafik”, i cili zhvillohet në Bruksel

Ansambli Popullor përfaqëson Shqipërinë në festivalin “Ballkan Trafik”, i cili zhvillohet në Bruksel. Ndërsa trupa e baletit do të zhvillojë një tur 8 ditor në rajonin e Puglias, ku do të intepretojë veprat e koreografit të famshëm me origjinë shqiptare, Angjelin Prelocaj, thekson oranews. “Dasma dhe Ekstravaganca” janë krijime të bazuara tërësisht në përjetimin e vetë koreografit francez me origjinë shqiptare, të cilat janë vënë në skenë edhe më herë.
Baleti “Dasma” është frymëzuar nga dasmat shqiptare, sidomos ato në veri të vendit. Ndërsa “Ekstravaganca” i kushtohet dramës dhe jetës së emigrantëve. Për Mirela Kumbaron, diplomacia kulturore është prioritet e Ministrisë së Kulturës. “Talenti, puna dhe pasioni i tyre, janë ata në fakt që na japin një mundësi të jashtëzakonshme të prezantohemi para publikut shqiptar, por edhe para publikut të huaj dhe kritikës së huaj”, u shpreh Kumbaro. Ndërsa drejtoresha e TKOB, Zana Çela, bëri me dije se trupa e baletit jo vetëm do të interpretojnë, por edhe do të shkëmbjenë eksperiencën e tyre në shtetin fqinj. “Ky turne do të konsistojë në dy linja, shfaqet që do të performojnë në katër teatro dhe në master-klas.Balerinët tanë do të shpërdajnë eksperiencën e tyre me trupat teatrorë që ndodhen atje”.
Për koreografin francez me origjinë shqiptare, Angjelin Preljocaj, bashkëpunimi me Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit do të vazhdojë edhe me vepra të tjera artistike, ku për vitin 2019 synimi është Cannes në Francë.

Folklori shqiptar prezantohet në zemër të Brukselit

Shqipëria po prezanton kulturën e gjallë në zemër të Brukselit, në sallën BOZAR, nga ku do të shpalosë ngjyrat, ritmet dhe energjinë e një vendi me identitet europian, vetëm pak ditë pas hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, raporton ATSH.
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore po merr pjesë në Festivalin Ndërkombëtar Kulturor “Balkan Trafik”, që po zhvillohet nga 19-22 prill. Pjesëmarrja e Ansamblit në këtë festival, të çelur mbrëmjen e djeshme në sallën Bozar u mundësua me mbështetjen e ministrisë së Kulturës.
Me një formacion prej 17 artistësh, solistë, grupi i valleve, kompleksi vokal dhe orkestra popullore, me grupin polifonik së bashku me zërin e magjishëm të Hysni Zelës, të pranishmit do të mund të udhëtojnë përmes këngë, valles dhe folklorit shqiptare, përfaqësuar nga Ansambli Kombëtar. Programi përfshin vallet më të spikatura të zonave të ndryshme, këngët polifonike deri te formacionet orkestrale në formën e kabasë, apo meloditë e pavdekshme të këngës së kultivuar.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka theksuar fort se, “detyra e promovimit të një imazhi të favorshëm jashtë vendit i takon diplomacisë kulturore. Roli i kulturës në përmirësimin apo promovimin e imazhit të vendit, është i rëndësishëm. Kemi vite që Shqipëria eksporton kulturë me cilësi të lartë”.
Koncerti i Ansamblit Kombëtar, i sapo nderuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, premton sukses në këtë ngjarje madhore kulturore të vendeve të Rajonit tonë dhe më gjerë në kryeqytetin evropian. Përfaqësimi i trupës së Ansamblit Kombëtar në këtë edicion i dedikohet polifonisë shqiptare si trashëgimi e UNESCOS-s, në kuadër të 60-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë.
Pjesëmarrja në këtë festival ndërkombëtar organizohet në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme si dhe përfaqësinë tonë diplomatike në Bruksel.