Anëtarësimi në BE, Rama: Serbia është një hap përpara Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një intervistë për mediat serbe nga Davosi, ka folur rreth ecurisë së të dy vendeve në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Rama shprehu dëshirën që Shqipëria të avancojë në rrugën drejt BE-së, ashtu siç ka bërë Serbia dhe tha se gjithçka në këtë proces varet nga meritat.

“Është proces i bazuar tek merita dhe ndërsa flasim Serbia është më përapara se Shqipëria, sepse Serbia tashmë është duke negociuar dhe ne jemi duke pritur me padurim të nisim negociatat këtë vit, por është garë e shëndetshme. Por ne duam shumë të kemi një ecuri shumë më të shpejtë dhe pse jo të jemi thjesht në të njëjtën pozitë në të ardhmen dhe pse jo të hyjmë në BE së bashku me presupozimin që Serbia të njohë Kosovën,” tha Rama.

Lidhur me Tribunalin e Veçantë për Krimet e Luftës në Kosovë, Rama thekson se ky është një proces i pakthyeshëm dhe se ideja dhe gjykata nuk janë në rrezik.

“Mendoj se është e rëndësishme që të ketë vetëdije për atë që është më e mira dhe çfarë mund të përmirësohet, dhe nëse ka një debat për të, kjo është gjë e mirë”, theksoi ai.

24 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)