Analiza e publicistit Fatos Lubonja për rezultatin e zgjedhjeve dhe qëndrimet e Kryeministri: “Rama po zëvendëson institucionet, duhet të shqetësohemi”

Ideja e kryeministrit Edi Rama për të qeverisur me qytetarët për analistin Fatos Lubonja është dramatike. Në një intervistë në televizionin “News24”, Lubonja u shpreh se e gjithë shoqëria shqiptare duhet të shqetësohet për këtë gjë pasi shteti dhe institucionet nuk mund të zëvendësohen nga një lider suprem apo dhe populli.

“Shoqëria shqiptare e gjitha duhet të shqetësohet shumë mbi këtë. Shteti punon mbi institucione që kontrollojnë, organet e media dhe nëse këto zëvendësohen me liderin suprem, i cili është i pagabueshëm dhe populli është i pagabueshëm, atëherë jemi në situatë shumë dramatike”, deklaroi Lubonja. Lidhur me rezultatin e zgjedhjeve për disa nga partitë e reja, Lubonja e arsyetoi me faktin se njerëzit janë të zhgënjyer dhe të mashtruar dhe kanë zgjedhur një përfitim për të rregulluar punët e momentit.

“Shqiptarët kanë zgjedhur më shumë të bëhen bashkëpunëtorë dhe bashkëfajtorë me regjimin se sa t’i bëjnë rezistencë sistemit. 56% e shqiptarëve janë pa shpresë dhe duan të lënë vendin dhe nga ana tjetër votojnë politikanët që i lënë pa shpresë tregon një zhgënjim nga klasat politike. Është konsumuar besimi. Janë zhgënjyer nga ata njerëz që kanë dalë dhe kanë bërë një premtim dhe i kanë mashtruar. Do jetë e vështirë lindja e një opozite. Do vazhdojë një rënie, një tunel…”, tha Lubonja.

Për sa i përket ankesave nga ana e PD-së për blerje votash, dhe nëse kjo gjë është morale pasi PD u bë pjesë e qeverisjes, Lubonja tha se kjo forcë nuk ngjall dot besimin dhe do të mashtrojë përsëri. Ai tha se Basha i mashtroi njerëzit duke i futur në çadër dhe më pas i braktisi. “Kush e ndan politikën nga morali nuk kupton asgjë nga të dyja. PD ka qenë pjesë e kësaj klase politike që ka menduar që nuk ka moral në politikë dhe në këtë aspekt PD-ja nuk ngjall dot besimin se nuk do mashtrojë përsëri dhe nuk ka ndjekjen e popullit. Basha i shton imoralitetit kronik edhe imoralitetin e tij personal. i futi njerëzit në çadër me premtimin e një ndryshimi dhe më pas i braktisi”, tha Lubonja.