Amerikanët shënojnë 242 vjetorin e shkëputjes nga Britania me piknikë, parada dhe fishekzjarre në gjithë vendin

Shtetet e Bashkuara po festojnë të mërkurën Ditën e Pavarësisë. Këtë vit, amerikanët shënojnë 242 vjetorin e shkëputjes nga Britania me piknikë, parada dhe fishekzjarre në gjithë vendin.

Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania, do të mbajnë një piknik për familjet e ushtarakëve në Shtëpinë e Bardhë.

Festa e 4 korrikurt përfshin traditën e leximit të Deklaratës së Pavarësisë në shkallët e Arkivave Kombëtare në Uashington. Brenda godinës, dokumenti origjinal është i ekspozuar së bashku me Kushtetutën dhe Karta e të Drejtave.

Pas leximit, fillon një paradë para ndërtesës së Arkivave në shëtitoren e quajtur Constitution (Kushtetuta) dhe vazhdon deri në zonën mes Shtpisë së Bardhë dhe monumentit për nder të Presidentit të parë amerikan, George Washington. Mijëra vetë dalin nëpër rrugë për të ndjekur paradën.

Në Uashington mbahet gjithashtu një concert para selisë së Kongresit, Kapitolit, ku interpretojnë grupe dhe këngëtarë të njohur dhe Orkestra Simfonike Uashingtonit.

Festimet mbyllen me një shfaqje madhështore fishekzjarresh, pas perëndimit.

Më 4 korrik të vitit 1776, 56 përfaqësues të 13 kolonive britanike të Amerikës Veriore, deklaruan, se me autoritetin e popullit, ata po krijonin një komb të ri.

Do të duheshin edhe 6 vjet të tjerë luftë me Britaninë, në atë kohë fuqia më e madhe ushtarake e botës, para se të fitohej pavarësia e Amerikës nga ai vend. Më 1782, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin ende larg bashkimit.

Ato ishin në fakt, një konferderatë e paqëndrueshme, me një qeveri qendrore të dobët. Fuqinë e vërtetë e kishin qeveritë e sheteve të ndryshme.Por shtetet ishin shumë të ndryshme nga njeri tjetri, përsa i përket praktikave fetare, opinionit politik dhe interesave ekonomike. Ato kishin vendosur tarifa dhe barriera tregtare ndaj njëri tjetrit. Monedha ishte e fryrë nga inflacioni dhe ishin vendosur taksa që pengonin zhvillimin.

Kaosi ekonomik çoi në paqëndrueshmërinë civile. Filluan konflitetet mes shteteve lidhur me kufijtë, Qeverisë kombëtare i mungonin forcat ushtarake për trajtimin e kërcënimeve të sigurisë. Amerikanët filluan të kërkojnë mënyra për zgjidhjen e këtyre problemeve. Përgjigja ishte një kushtetutë e re, e cila do të krijonte një qeveri kombëtare të fuqishme, e cila të trajtonte nevojat e vendit, ndërkohë që t’u jepte fuqi të caktuara shteteve të ndryshme. Por amerikanët ishin të ndarë lidhur me formën që do të merrte qeveria e re.

Shtetet e vogla kërkonin përfaqësim të barabartë me shtetet e mëdha. Shumë qytetarë druheshin se një qeveri e fortë kombëtare do të shtypte të drejtat e individit. Këto çështje u zgjidhën, vetëm pas disa vite debatesh dhe kompromisesh. Kushtetuta e re u ratifikua në vitin 1789, vetëm pasi u shtuan 8 amendamente, të cilat garantonin të drejtat themelore të shtetasve, mes tyre lirinë e ushtrimit të fesë, të fjalës dhe shtypit, të drejtën për të zhvilluar procese gjyqësore dhe mbrojtjen kundër abuzimit të qeverisë ndaj qytetarëve.

Kushtetuta nuk është një instrument në duart e qeverisë për ta kufizuar popullin, tha në atë kohë Patrik Henri, një nga udhëheqësit amerikanë në luftën për pavarësi, ajo është një instrument në duart e popullit, për të kufizuar qeverinë, që ajo të mos e sundojë jetën tonë.

Edhe pas 242 vjet pas miratimit të kushtetutës, ajo mbetet garancia e lirisë për të gjithë amerikanët dhe të gjithë ata që jetojnë dhe punojnë në SHBA, një model i funksionimit të dokumentit themeltar të shtetit.