Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, bëri një vizitë në Parkun Kombëtar të Thethit

Në fundjavë Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, bëri një vizitë në Parkun Kombëtar të Thethit ku u takua me Administratorin e Njësisë Administrative të Shalës dhe Drejtorin e AdZM Shkodër, Agim Dardha.

Ky takim kishte në fokus zhvillimin e turizmit në  zonën e Thethit,  duke marrë si prioritet përmirësimin e infrastrukturës rrugore  dhe objekte të tjera ndihmëse. Këto do të bëhen me fondet e  BE-së.

Pasusitë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.

Përveç natyrës së bukur dhe kanionit, në Theth gjenden një numër i konsiderueshëm shpellash, por ato që kanë tërhequr vëmendjen e shumë alpinistëve, speleologëve, gjeografëve etj, janë Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve, të cilat me përmasat e tyre dhe dukuritë interesante që mbartin brenda tyre si liqenet nëntokësore, galeri, sifone etj., janë bërë shkak i shumë legjendave të krijuara nga vetë banorët e zonës. Një bukuri natyrore, të veçantë, të bjeshkëve të veriut, shpalos në këtë zonë, Ujevara e Thethit  me lartësi 25 m, ku së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojës, formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar.

Por jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i lumit të Shalës në Okol, burimet e të cilit nxjerrin 2.5 deri në 3 m kub ujë në sekondë, që vë në punë një hidrocentral të vogël dhe 12 mullinj, që shërbejnë për ujë të pijshëm, cilësia dhe pastërtia e të cilit është për t’u admiruar.

Thethi është tepër i vizitueshëm në periudhën e verës./ATA/m.m/