Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka dënuar sot aktet e dhunës brenda dhe jashtë Kuvendit ndërsa ka komentuar edhe luftën politike

Përmes një deklarate, SHBA shprehet se populli nuk duhet të habitet teksa sheh politikanët të luftojnë njëri-tjetrin, pasi sipas saj kjo tregon se reforma po zbatohet.

Nga ana tjetër, ambasada ka edhe një koment për Adriatik Lallën. “Prokurori i Përgjithshëm që refuzonte të ndiqte penalisht politikanë është i ikur” – shkruhet ndër të tjera.

Deklarata e plotë:

Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon me forcë dhunën që ndodhi në protestën e sotme në Tiranë.

Ne mbështesim të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht, por dëmtimi i pronës publike, hedhja e granatave tymuese në Parlament dhe dhuna nuk janë të pranueshme. Ne i bëjmë thirrje të gjitha partive që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të nxisin qetësi.

Populli shqiptar nuk duhet të habitet që politikanët e tyre po luftojnë njëri-tjetrin. Kjo do të thotë se reforma në drejtësi më në fund po zbatohet. Komisionet e Vetingut do të kenë së shpejti rezultatet e tyre të para.

Prokurori i Përgjithshëm që refuzonte të ndiqte penalisht politikanë është i ikur. Së shpejti do të shohim krijimin e SPAK-ut dhe BKH-së, të cilat do hetojnë dhe ndjekin penalisht zyrtarë të korruptuar të nivelit të lartë.

Qytetarët shqiptarë presin me padurim për drejtësi. Dhe politikanët kanë frikë. /b.d