Ambasada e SHBA për vizitën e senatorëve: Në fokus, lufta kundër terrorizmit dhe zbatimi i reformës në drejtësi

Ambasada e SHBA në Tiranë ka zbardhur vizitën e katër senatorëve amerikanë në Shqipëri.

Përmes një postimi në Facebook, ambasada e SHBA sqaron se senatorët biseduan mbi partneritetin mes dy vendeve dhe çështjet në interes dypalësh si lufta ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Senatorët zhvilluan takime me presidentin Meta si dhe përfaqësues të qeverisë e opozitës.

Sipas ambasadës së SHBA, të cilët kanë zbardhur takimet e katër senatorëve me krerët e shtetit dhe politikës shqiptare, theksi është vënë edhe te reforma në drejtësi.

“Një delegacion me katër senatorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës vizitoi sot Shqipërinë për të biseduar mbi partneritetin ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, si dhe çështjet e bashkëpunimit për sigurinë, mbrojtjen dhe luftën ndaj terrorizmit. Senatorët Blunt, Cornyn, Cotton, dhe Tillis u takuan me Presidentin Ilir Meta, zyrtarë të Qeverisë, dhe drejtues të Partisë Demokratike, për të nënvizuar rëndësinë e rolit të Shqipërisë në stabilitetin rajonal, përpjekjet për të luftuar terrorizmin, dhe rëndësinë e zbatimit të reformave kryesore, përfshirë reformën në drejtësi”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA. /a.g/