Ambasada e SHBA në Tiranë dënon sulmin ndaj gazetares Klodiana Lala

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, ka dënuar sot sulmin e sotëm ndaj gazetares Klodiana Lala, duke kërkuar nga autoritetet vendosjen përpara drejtësisë së autorëve.

Në një reagim, ambasada e SHBA shkruan se akte frikacake si ky tregojnë se kriminelët kanë frikë nga sistemi i drejtësisë së vërtetë.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon me forcë sulmin ndaj gazetares Klodiana Lala dhe familjes së saj. Ne nxisim autoritetet të kryejnë një hetim tërësor dhe transparent për të nxjerrë autorët përpara drejtësisë. Si gazetare, Klodiana ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbulimin e Reformës në Drejtësi, çështjeve të gjyqësorit dhe veprimtarisë kriminale. Fakti që ajo u vu në shënjestër demonstron rëndësinë e punës së saj- sjellja e së vërtetës tek populli shqiptar. Një media e pavarur është frymëmarrja e një demokracie të fortë. Akte frikacake si ky tregojnë se kriminelët kanë frikë sa më shumë Shqipëria i afrohet një drejtësie të vërtetë”, – thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA në Tiranë.