Aleanca e Atlantikut Verior nis investimin në bazën ajrore në Kuçovë

Gjenerali i NATO: Paqja që ju shpërndani, e mrekullueshme për Aleancën

Aleanca e Atlantikut Verior nis investimin në bazën ajrore në Kuçovë. Për këtë Komandanti i Komandës Ajrore të NATO-s, gjenerali Tod Wolters, po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë. Në një konferencë të përbashkët me ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, Wolters u shpreh se “është e vështirë të imagjinohet se si ishte gati 10 vjet më parë kur në pranverën e 2009-ës celebruam hyrjen e Shqipërisë në NATO, dhe sot celebrojmë nisjen e investimeve në bazën ajrore në Kuçovë”.

Ai tha se në muajt dhe vitet e ardhshme do të vijojë investimi në bazën e Kuçovës. “Në bazën ajrore të Kuçovës është bëri deri më tani një punë shumë e mirë, do të vazhdojë investimi, do të ketë edhe një ekip ajror që do t’i shtohet. Qëllimi ynë është vetëm të ecim përpara”. Wolters theksoi edhe angazhimin e Shqipërisë në misionet e NATO-s. “Forcat e Armatosura të Shqipërisë mbulojnë një sipërfaqe që shtrihet nga Tirana në Juglindje në Afganistan dhe Mali deri në Verilindje në Letoni dhe më pas duke u kthyer në Kosovë dhe më pas rikthehen sërish këtu në kryeqytet në Tiranë. Paqja që ju shpërndani në këtë sipërfaqe të madhe territoriale është absolutisht e mrekullueshme për Aleancën dhe kontribuon për paqen dhe prosperitetin në rajon”, tha Wolters.

Duke folur për bazën e Kuçovës, ai theksoi se, “ajo përfaqëson mundësi të mëdha inovacioni, mundësi të mëdha përmirësimi të kontrollit të një hapësire sa më të madhe. Është një bazë që do ketë mundësinë të presë avionët luftarakë që kontrollojnë hapësirën”. I pyetur pse është zgjedhur Kuçova për këtë bazë ai tha se “Kuçova ka një karakteristikë unike. Është një fushë e pozicionuar në një vend gjeografik strategjik sa i takon vendit tuaj dhe Ballkanit Perëndimor. Është gjithashtu një vend me kushte atmosferike tmerrësisht të mira. Pra mundësia e ngritjes së avionëve luftarakë nëpërmjet Kuçovës është mjaft e mirë”.

Komandanti i Forcave Ajrore të NATO-s Gjeneral Tod D. Wolters iu bashkua sot ceremonive për çeljen e këtij projekti pranë ministrisë së mbrojtjes në Tiranë, ndërsa avionë F16 dhe Eurofighters fluturuan mbi qiellin e kryeqytetit. “Është e vështirë të besohet se vetëm 10 vjet më parë, në pranverën e 2009 Shqipëria u bë anëtare e NATO-s dhe brenda një kohe të shkurtër po nisim përmirësimin e infrastrukturës së bazës ajrore të Kuçovës – tha gjenerali Wolters. Vizita e komandantit të forcave ajrore të NATO-s për të shënuar nisjen e fazës së parë të punimeve të bazën ajrore të Kuçovës përkoi me 70 vjetorin e krijimit të Aleancës Veri-Atlantike dhe 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në të.

Ndërsa për ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, baza e NATO-s në Kuçovë do të jetë një siguri më tepër jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin: “Kuçova do të jetë bazë e NATO-s. Ky investim është i rëndësishëm jo vetëm për sigurinë e vendit tonë, por edhe për rajonin. Aleanca Euroatlantike është zgjedhja dhe zgjidhja më e mirë për Ballkanin”.

 

Punimet në bazën ajrore të Kuçovës pritet të nisin në fund të këtij viti dhe parashikojnë një kohëzgjatje deri në 5 vjet.