Albert Vataj: Shkodër, a mundem me t’dasht deri n’adhurim?!

Kisha me dasht, me t’ndi ma shumë se sa me t’pa, ngase tançka e jotja, njaja ma e përuluna, nuk mundet me u krekos ndër fasada t’gjyrueme e zhagitje betoni, njaq sa lyp me ken ledhatare ndër kujtime e mall. 
Me vitet e hupuna në kohën që iku me turr, kam mbetun njaq nostalgjik, sa ç’ka mundem me e ndi kur emni jot m’përkund ndër andrra, e zanin tand ma prujnë gjethet, gjethet qi era mi rrxon n’prehën, e mi pshtjellon nëpër flokë, si nji prekje qi s’due me ta kallzue, se ç’hanë ma nguci atë natë t’mbetun shumë larg, n’prehnin e përundjes tande.
Tash qi përpjekja jeme ka shtyt tej kufinjt e caqeve të kungimit me njat land hyjnore krijimi, t’ngjizun ndër shtegtime kujtimesh dhe mrumun, kah ernat e liqenit m’ledhin me amëlci e Taraboshi m’kqyr kureshtues, rrugicave m’vuhen përmba hapet e ndrojtun t’ikjes e njerzve u’a mshehi shikimin si i xanin n’turp qi s’i begenisa…
… tash mundem me than se jam një za; qi tue m’përfaqsu siç din kanga me e ledhatu valën, e zogu me e shkund pendin, nana me ma fshi lotin, e dhimbja me ma lëmue plagën, tash bzaj nan za e përmbi re, si tue dasht me zgjesh prej tan gjëmimeve, nji ma t’thekshmin kushtim, me dasht pa u drash me than me za qielli e me vullnet shpirti…
Shkodër t’du bash fort!
E n’se ma ven veshin, m’ndin e m’don, ti e din se sa shum’ m’kanda me t’pas me vedi krejtkund shkoj e tançka baj, për veden teme e për ty, tue mos harrue me diftue se n’se kjo qi baj ka bekimin e ka me e meritue ndoj fjalë t’andshme, e me i’a mylmye dikush ndoj za dritimesh, krejtçka jemja t’takon ty.
N’se pata fatin e mirë me këndue me tan zemër, shpërblye kjesh prej teje, Shkodër, naltue u ndina me t’epërmin e t’bekuemin emën, qi ti ngjize ndër shekuj; prej gjinit t’mëkuem n’legjenda e t’gjakut t’flakëruem ndër përpushje krenie.
Un’ gjithher jam ndi i vogël përpara teje, pro kjo nuk m’ka ndalue me e ndi brenda teje t’rand e t’kijametshëm gurin e Sizifit qi mu desht me e ngjit njaq nalt sa me e meritue kungimin tand.
Edhe sod qi due ma shum’ me t’ndi se me t’pa, po dëshiroj me tan zemër njat qi due me loçkën e t’bardhit shpirtit tem, me ken për tankend njaq sa ke mujt me ken edhe për mue.
Shkodër t’du bash fort!

Albert Vataj