Albert Vataj: Poezia, ç’ka mundesh tjetër me ken veç hyjnis qi i blatoj shpirtin

Nga Albert Vataj

Ti, Poezi, ç’ka mundesh tjetër me ken veç hyjnis qi i blatoj shpirtin, veç njatij naltsimi qi m’ban me u ndi Zot urdhnues e gjithsundues i gjanave t’pikueme prej qiellit t’syve, t’syve qi loti nuk ka muejt me i shterr e kafshimi dhimbjes qi asht drasht me më m’sue n’te çka asht idhnimi. 
Poezia, ti dritë e dritsheme n’thalbin e nji psherëtime!
Poezi, e din se ç’ka ndij n’ty? Ndoshta m’duhet me t’kallxue se çka m’ban me ken njaq i lumtun sa dhe përvutnisht i ligshtuem. Tançka jotja, qi mundet me u ba e jemja, edhe njajo zemër qi tue dasht me t’dasht, ma shum’ po t’ban me vuejt.
Poezi, kjesh gjithçka për ty e gjithçka bana për ty, mujti me ken tançka kam.
Ndoshta edhe njajo zemër qi m’msoi se si t’kafshon dhimbja në shpirt, e njaj khanor qi lup kryet tem me u shue si diell n’blatim shejnie.
Nan, ti kjosh lumnue! N’se nuk m’kallzue se qysh mbrrihet te yjet, n’shpirt ke dit me lan tançka shejtnia jote ka bekue kyt prekje eteri, kyt am qi sod njaq sa m’ka msue me këndue, m’ka nguc edhe me kja si fmija.
Tash qi ti i’e dhan mungimit, tash pikon prej qiellit tand t’thyem nji cop shpirt, shndërrues gjanash toksore në ajër, në frymë, në duhi, në tehun ku shklas kamzbathun si drita e njatij syni n’rrufe.
Zgjodha me ken poet se deshte ti, shenjtnesha jeme, edhe pse deri si mbylle syt nuk t’lexova vargjet qi kisha shkrue për ty, nuk i bana vend n’zemrën tande, rënkimin tem.
Ani!
Tash un kam xan me këndue tue i ra telave të nji zemre qi ka dit veç me kja.
Po shkruej për qiellin, si tue dasht me i shkokrru yjet si shegën, njata vezullime qi ndritin n’njata sy, n’njata sy ku stuhitë dehin horizontin e plasen brigjeve anijet. Jam poezi në tançka baj,e në gjithsi jetoj.
Flas dhe heshti poetikisht, pa u drasht se gojtaritë shkelin nadjeve pahiri n’gjoksin e luleve qi hana ka harrue me i mblu me ves.
N’synin tem gjithnji ka nji pikë lotit qi thahet n’buzen tande, ti lumja vashëz qi kreh flokët n’ujvarën e vajit të legjendës, e buzën eshk n’kreshtën e nji vullkani.
Poezi, ti qi m’kallzon rrugën kah mbërrihen skajet e horizontit, pash hatrin e tan’Zot, m’difto se ku mrizojnë yjet qi pikojnë n’vezullima sysh qi munden me kqyr veç n’adrra.
Heshti me erën qi m’rrzon nji gjethe n’majen e penës qi mendueshëm kqyr letrën, si kundron buza buzën qi diej djeg.
E lshoj mendimet ndër fjalët e shpirtit… zemrës, plagën ma t’rand i’a lëndoj, ate t’dashnis, atë qi e ka mësue me vujt ma shumë se më u lumtunu.