Albert Vataj: Poezia asht ç’ka don ti me ken, asht njaj altar qi përuljen tande din me e shndrru n’besim

Ç’ka asht poezia?!
Mundet me ken gjithçka e kurrgja. Mundet me ken tançka qi rrok perceptimi dhe e trajtëzon në fjalë e kungime, njaj gjasmim ligjërimi, qi tue na buru prej thellë, na përpush nër zjarme e flakërime t’potershe. Siç mundet me ken njajo gja, qi thjesht e ndin, tue mos mujt me i i dhan formë, e diqysh me e derdh në nji idil dehës fjalësh.
Aniqysh, mundet edhe me ken një përhumbje qi guxon me depërtu n’pranin tande mish e shpirtë, po… n’magjën e ngjizjes së shkreptimave krijuese, për me nxjerr prej andej shkulme drite përfytyrimesh hyjnore.
Keni ken ndoj’her’ t’hupun në boshin e heshtjes, apo t’ngazëllym prej zjarmit t’nji ndjenje, qi tue t’shtërngu n’gjoks, lyp me gufu përmes syve zjarm e dritë. Ndoshta tue u përpjek me u kacavjerr përmes ndonji pëshpërime apo fjale t’rrxume pahiri prej buzet, jeni gjegj me i’a besu kyt çast nji shfrimi fjalësh e nji vargzimi vërshues, pa mendu se ç’ka asht njajo qi u ka rrëmby tue u’a nxjerr fije mbas fijet e flakë mbas flaket, ç’ka shtërzen atje n’shpirt, ku gjithnji ka stuhi, kur gjitherë nji vark e harrueme mes asgjas lyp diqysh me gjet nji breg qi e pret.
Poezia, po, poezia asht… asht njaj këndim shpirti, njaj za qi përmes fjalës mëkon, asht ngucamë e nji thirrje të mekun qi merr piskamë prej qiellit, e përpiqet ngultaz e zjarmues me rrok, me dëshirim e zotnimi krejtkah shpirti lyp me i’u dhanë përulësisht nji Zoti, nji Hyu, qi tuj gufu brenda gjoksit, mundet me fluturu krejtkah shpengimi merr krahë lirie.
Poezia, asht gjithçka dhe kurgja, asht ç’ka don ti me ken, asht njajo qi din me e than veç fjala, njaj altar qi përuljen tande din me e shndrru n’besim.