Albert Vataj: Kosovë, t’paça, gjini i gjoksit tem

Gëzo Kosovë ditën e dritës tande
E unë po due me ty me fluturu
Tue marr kraht e shqipes
E gjakun zjarm, t’njatij flamur

Nji dekadë t’sfidës tande gëzo
Këndo tue dasht veç me gazmu
E n’mue prushin edhe sot t’idhtat dhimbje
Qi m’ligshtuen, e m’ban bash fort me t’dasht

Kosovë, dhimbja dhe gëzimi jem
Gjini i gjoksit tem
Plaga e lëngimeve t’mija
Plisi jot i bardh e flamuri jon’ i kuq

Kanga dhe vaji, gazmendi e idhnimi
M’përpushin e me za m’mbushin
E thrras
E thrras, me sa kam n’krahnor, me e mat n’kyt qiell
T’paça, gjini i gjoksit tem
Gazmosh e lumnosh n’andrrat tuja e andjen teme

“Kaq shumë kem heq me harrue”
E kujtesa,
Kujtesa më gjak ta njom gëzimin,
Me lot ta ngjyen qerpikun e synit
Kanga e puthja, n’jat buzë ta krisin

Plaga jote, gjitherë kje dhimbja jeme
Gjaku dhe eshka,
Pragu, djepi dhe vorri, sot e mot

E thellë thirrja e heshtjes që ther
Gjama e thyeme kushtrimesh
Gjini i hallallit dhe flija e amanetit
Fjala e gjyshit e premti mi i vashës
Janë refreni i kangës dhe jehona e kohës

Tash,
Tash Kosovë po gëzon, me tan zemër t’uroj
Hareja jote asht lumnimi jem
Flamuri i shtetit tan
I jemi s’asht, as i joti,
Por ndër shpresa, valoje
Si petkun e nji andrre

Gëzo Kosovë ditën e shtetit tand
Dekikun e përtrimjes teme prej zjarmit
Flutrojm n’kraht e shqipesh
E n’qill xajm vend

Albert Vataj

NE VEND T’NJI URIMI PER 10-VJETORIN
E PAVARSISE SE KOSOVES